Lajme

Lajçak: Ne jemi dy fjalë afër apo dy fjalë larg marrëveshjes për të pagjeturit

Takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se Kosova dhe Serbia janë shumë afër arritjes së marrëveshjes për personat e pagjetur gjatë luftës së fundit.

Lajçak tha se tani duhet vetëm vullnet politik për arritjen e kësaj marrëveshje, e që sipas tij, do të sjellë pozitivitet tek njerëzit.

“Por, duam të sigurohemi që takimi të prodhojë diçka pozitive për njerëzit, më logjike e me e dukshme do të ishte një rezultat pozitiv i takimit do të ishte marrëveshja për personat e zhdukur sepse kjo është një çështje aq e dhimbshme, po aq e dhimbshme për familjarët e personave të zhdukur në Kosovë e në Serbi. Ne jemi duke punuar për këtë në veçanti. Ne jemi dy fjalë afër apo dy fjalë larg marrëveshjes dhe ne do të kemi konsultime edhe në ditët në vijim për këtë. 99.5 për qind e teksti është dakorduar dhe tani duhet vetëm vullnet politik”, tha Lajçak në RTK-në.

Sipas tij, takimi mes dy liderëve, Kurtit dhe Vuçiq nuk duhet të vonohet, ky takim duhet të ndodh më së largu deri në fillim të shtatorit.

“Është gjithmonë e ndërlikuar të luash me takime. Kur isha në Prishtinë thash se unë këtë e pres para pushimeve verore, por jeta ndonjëherë ndryshon planet tona. Por definitivisht nuk do të humbas kohën time e të punoj për takimin e radhës pa vonesë. Qoftë fundi i gushtit apo fillimi i shtatorit. Nuk shoh asnjë arsye për të pritur përtej kësaj”, tha ai.

Theksojmë se në vizitën e fundit të Lajçak në Kosovë dhe Serbi, ai ka thënë se i ka bërë me qëllim të organizimit të takimit mes liderëvë të dy shteteve në Bruksel.

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

“Erdha në Prishtinë dhe Beograd me idenë që në korrik të përgatisim një takim mes presidentit Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit Aljbin Kurti, sepse besojmë se përveç nivelit të negociatorëve kryesorë që po funksionon, duhet të ngrihemi në niveli i liderëve”, tha ai për Nedeljnik, transmeton Tanjug.

Bartësit e dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar në Bruksel që nga korriku i vitit 2021. Deri më tani, ata kanë zhvilluar vetëm dy takime dhe që të dyja nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret.

Zyrtarët në BE kanë thënë se janë duke përgatitur një takim të ri midis Kurtit dhe Vuçiqit, por ende nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur mund të ndodhë./Shqip.com