Lajçak lajmërohet nga Beogradi, thotë se çdo gjë është gati për 18 mars

Para përfundimit të qëndrimit në Beograd, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar përsëri me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Ai ka njoftuar se ky ishte takimi i fundit para atij të 18 marsit që do të zhvillohet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, ky takim shërbeu për të marrë reagimin e palës serbe dhe se tani do finalizohen përgatitjet për takimin e së shtunës.
“Përfundova takimin tim të dytë me @predsednikrs @avucic – për të dëgjuar komentet e tij mbi Aneksin e Zbatimit dhe rrugën përpara për Marrëveshjen e BE-së. Pasi kemi marrë reagime nga të dyja palët, tani do të finalizojmë përgatitjet tona përpara takimit në Ohër të shtunën”, ka shkruar Lajçak.
Finished my second meeting with @predsednikrs @avucic to hear his comments on the Implementation Annex and the way forward on the EU Agreement. Having received feedback from both Parties, we will now finalize our preparations ahead of the meeting in Ohrid on Saturday. pic.twitter.com/HMIfZbNdRs
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) March 14, 2023
Ndryshe, emisari Lajçak gjatë javës së kaluar ka qëndruar edhe në Kosovë, meqë rast ka zhvilluar takime me liderët e shtetit dhe ata të opozitës, për të marrë qëndrimet e tyre rreth marrëveshjes finale.
Nga Kosova, Lajçak kishte paralajmëruar takimet që do të mbahen gjatë ditëve të para të javës edhe në Serbi.
Deri sot, në reagimet publike, është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që është shprehur kundër nënshkrimit të marrëveshjes sepse kërkon që fillimisht të formohet Asociacioni e pastaj të kalohet në nënshkrim të marrëveshjes.
/Shqip.com