Kuvendi voton heqjen e imunitetit të Sali Berishës, SPAK pritet t’i komunikojë masën e arrestit në shtëpi

Pas Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, sot, me 75 vota Kuvendi i Shqipërisë miratoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetit Sali Berisha.
Prokuroria kërkoi autorizimin e Kuvendit për ashpërsimin e masës ndaj ish-kryeministrit pasi theu masën detyrim paraqitje nga GJKKO.
Pas këtij vendimi të Kuvendit, SPAK pritet t’i komunikojë Berishës masën e arrestit shtëpiak.
Berisha ka qenë i pranishëm në sallën e Kuvendit, por nuk ka pranuar të marrë fjalën. Disa nga deputetët mbështetës të Berishës ndezën tymuese në Kuvend.
Deputeti Flamur Noka, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Sali Berishës u pa tymuese në dorë. Pavarësisht nga situata e krijuar, kryeparlamentarja Lindita Nikolla vazhdoi me zhvillimin e punimeve të seancës sipas rendit të ditës.

Megjithatë, seanca e Kuvendit zgjati vetëm 9 minuta.
Berisha është person në hetim për korrupsion pasiv privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Ish-kryeministri e ka quajtur kërkesën e Prokurorisë së motivuar politikisht, ndërsa ka akuzuar Edi Ramën se ka qenë ai që ka firmosur në cilësinë e kryetarit të bashkisë së Tiranës ndryshimin e destinacionit të fushave të klubit të futbollit “Partizani”.
Pasi Kuvendi votoi për heqjen e imunitetit të tij në kuadër të kërkesës së SPAK për ta arrestuar nën akuzën e korrupsionit për aferën ‘Partizani’, Berisha tha se vendimi i marrë për të do të dështojë.
Ai deklaroi se votimi i Kuvendit për heqjen e imunitetit të tij, do të mobilizojë opozitën në shkallën më të lartë kundër qeverisë.
“Sot narko-parlamenti në një akt antikushtetues votoi në kundërshtim me procedurë kushtetuese dhe ligjore për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Në një mënyrë apo tjetër, Parlamenti sot vazhdoi veprën që dështoi me datën 9 shtator, 2 vite më parë por nëse dështoi me 9 shtator, iu garantoj se sot do jetë më i dështuar se kurrë. Se ky vendim jo që nuk do mund të realizojë qëllimin për shkatërrimin e opozitës por do ta na mobilizojë në shkallën më të lartë dhe nën moton “o sot o kurrë” do i japë përgjigjien këtij regjimi. Parlamenti nga klandestiniteti përfundoi në parlamentin e “vrimës së miut”. Edi Rama u fut sot nga tunelet e hapura që lidhin parlamentin me zyrën e Skënder Gjinushit. Beteja vijon më e fuqishme se kurrë më parë”- tha Berisha.
/Shqip.com