Kuvendi miraton dy marrëveshje ndërkombëtare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të hënën e 13 dhjetorit, gjatë seancës plenare kanë miratuar dy marrëveshje ndërkombëtare.
80 deputetë kanë votuar për ratifikimin e amendamentimit numër një të marrëveshjes financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Ndërsa, me 83 vota për dhe asnjë kundër kanë votuar për projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Zvicrës për programin e Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore në Kosovë.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se qëllimi i amendamentimit të marrëveshjes me BE-në është shtyrja edhe për 1 vit të ekzekutimit të projekteve, që gjithsej sipas tij kapin vlerën e mbi 11 milionë eurove.

“Qëllimi i amendamentimit të marrëveshjes në fjalë është të mundësohet shtyrja e afatit përfundimtar të ekzekutimit të projekteve të cilat mund të mos kryejnë me kohë, si rezultat i pandemisë COVID-19”, tha ai.
Duke arsyetuar projektligjin e dytë, ministri Murati theksoi se menaxhimi i resurseve ujore do të jetë primar për ekzekutivin.
Bëri të ditur se projekti ndahet në tri faza, ku qeveria zvicerane pritet të kontribuojë me 18.9 milionë euro, ndërsa Kosova me 5.7 milionë euro.
“Marrëveshja parasheh zhvillimin e një programi i cili siguron krijimin e një kornize funksionale të integruar për mbrojtën, shfrytëzimin e qëndrueshëm dhe shpërndarjen e resurseve ujore për konsumatorët në Kosovë. Ky program pritet të zhvillohet në tri faza në periudhën 2021-2031”, shtoi ai./SHQIP.com