Kuvendi i hoqi imunitetin, Berisha: Vendimi i paligjshëm, ka për qëllim shkatërrimin e opozitës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pasi Kuvendi votoi heqjen e imunitetit të deputetit duke pranuar kërkesën e SPAK për marrje autorizimi me qëllim ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj tij nga detyrim paraqitje në arrest shtëpiak.
Gjatë një proponcimi për gazetarët jashtë Kuvendit, Berisha tha se vendimi i Kuvendit është i paligjshëm dhe sipas tij ka për qëllim shkatërrimin e opozitës.
“Sot, narkoparlamenti në një akt antikushtetues, antidemokratik, votoi në kundërshtim me ccdo procedurë kushtetuese, në kundërshtim me çdo procedurë ligjore, për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Në një mënyrë apo në një tjetër, parlamenti sot vazhdoi veprën që dështoi me datën 9 shtator, dy vite më parë. Por në qoftë se dështoi me 9 shtator, ju garantoj se sot do jetë më i dështuar se kurrë, se ky vendim jo që nuk mund të realizojë qëllimet, shkatërrimin e opozitës, por ky vendim do mobilizojë opozitën në shkallën më të lartë, dhe nën moton: o sot o kurrë, do i japë përgjigjen më të merituar këtij regjimi. Ajo që mund të them se nga dita e sotme është se parlamenti nga klandestiniteti, përfundoi në parlamentin e vrimës së miut. Edi Rama u fut sot jo nga dyert zyrtare, nga dyert zyrtare të parlamentit, por nga tunelet që lidhin parlamentin me zyrën e Skënder Gjinushit. Pra, u fut nga vrima e miut në Parlament. Beteja e nisur vazhdon fuqishëm si kurrë më parë dhe e garantoj se kjo opozitë do qëndrojë e pamposhtur në mbrojtjen e idealeve demokratike të saj”, u shpreh Berisha.
/Shqip.com