Lajme

Kushtetuesja refuzon kërkesën e bankës serbe për ta ndaluar privatizimin e Bankos-it

Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka cilësuar të pabazuar kërkesën e “Kosovska Banka” me seli në Beograd për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me pretendimet pronësore të palëve në procedurë lidhur me statusin e subjektit “Bankos”.

Banka serbe kishte pretenduar se janë bërë shkelje të të drejtave pronësore dhe të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, duke pretenduar ne esencë pronësinë mbi subjektin “Bankos” dhe duke kontestuar statusin e subjektit “Bankos” me pretendimin se është shoqëri aksionare dhe jo ndërmarrje shoqërore me kapital shoqëror ashtu siç kishte vlerësuar Kolegji i Specializuar dhe Kolegji i Apelit i DHPGJS.

Gjersa, AKP pretendonte se kjo ndërmarrje e ka statusin e ndërmarrjes shoqërore me kapital shoqëror dhe se transformimi i bërë nuk mund të konsiderohet i vlefshëm, për shkak të paligjshmërisë së transferimit dhe diskriminimit gjatë procesit të transformimit.

Sipas njoftimit të nxjerrë, banka serbe kishte nisur luftën shumë vite më parë për të marrë pronësin e objektit të Bankos-it, por kishte humbur në të gjitha shkallat gjyqësore.

Gjykata vlerëson se: Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së ka konstatuar se parashtruesi i kërkesës nuk ka kaluar fazat ligjore të transformimit nga ndërmarrje shoqërore në shoqëri aksionare, ka shpjeguar se në kohën kur parashtruesi i kërkesës pretendon se është transformuar në shoqëri aksionare është i paqëndrueshëm sepse atëbotë nuk ka ndodhur transformim i ligjshëm dhe jo-diskriminues i parashtruesit të kërkesës.

Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së ka konstatuar se parashtruesi i kërkesës me asnjë provë përkatëse nuk ka provuar transformimin nga ndërmarrja shoqërore në shoqëri aksionare, në substancë-vlerësoi se parashtruesit të kërkesës i mungonte legjitimiteti procedural përkatësisht se nuk është transformuar në shoqëri aksionare.

Si përfundim, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur me prova pretendimet e tij për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.

/Shqip.com