Kush i çoi protestuesit në Rinas për t’i rraskapitur rrugëve deri në mëngjes?
Ajo që nisi si një protestë në zemër të Tiranës u shndërrua më pas në një marshim të gjatë drejt periferisë së kryeqytetit, duke surprizuar jo vetëm autoritetet, por edhe një pjesë të vetë pjesëmarrësve. Turma u zhvendos fillimisht në autostradën Tiranë-Durrës dhe më pas mori drejtimin e Rinasit, në një lëvizje që zgjati disa orë dhe solli bllokime të shumta të trafikut.
Itinerari i ndjekur nga protestuesit ka hapur debat dhe ka ngritur dyshime mbi mënyrën se si u mor vendimi për t’u larguar nga qendra e qytetit. Sipas disa prej qytetarëve, ekzistojnë dyshime se persona të paidentifikuar, të cilët pretendohet se paraqiteshin si efektivë policie, mund të kenë ndikuar në orientimin e turmës drejt aeroportit.
Mes protestuesve qarkullon bindja se devijimi i marshimit nuk ishte spontan. Sipas tyre, qëllimi mund të ketë qenë konsumimi fizik i pjesëmarrësve përmes një ecjeje të gjatë, duke ulur gradualisht numrin e qytetarëve në protestë dhe duke e zbehur intensitetin e saj.
Pas mesnate, turma mbërriti pranë mbikalimit të Rinasit dhe vijoi lëvizjen drejt aeroportit “Nënë Tereza”. Forcat e policisë vendosën masa sigurie dhe krijuan një kordon për të mos lejuar afrimin e protestuesve në zonën e aeroportit, ndërsa u bënë thirrje të vazhdueshme për lirimin e rrugës dhe shmangien e bllokimit të qarkullimit.
Marshimi i protestuesve deri në orët e vona të natës drejt Rinasit ka shkaktuar reagime edhe në rrjetet sociale, ku janë hedhur akuza të ndërsjella për mënyrën e orientimit të turmës. Gent Progni, pjesë e grupit organizues, ka deklaruar se janë vërejtur persona që tentonin të përçanin protestën dhe të nxisnin përplasje me policinë, duke shtuar se disa prej tyre janë identifikuar dhe filmuar.
Në një reagim tjetër, Progni ka publikuar edhe një video ku shfaqet një protestues që sipas tij është prezantuar si efektiv policie dhe ka tentuar të provokojë situatën.
Nga ana tjetër, një protestuese ka kundërshtuar këto deklarata, duke pretenduar se vetë drejtimi i turmës drejt Rinasit është ndikuar nga brenda grupit organizues. Ajo ka akuzuar publikisht Prognin dhe ka hedhur dyshime edhe mbi mënyrën e organizimit të protestës që në nisje të saj.
Pas një qëndrimi disaminutësh përballë kordonit policor, protestuesit u tërhoqën dhe nisën shpërndarjen. Edhe pse marshimi u shoqërua me tensione dhe vështirësi në qarkullim, situata nuk degradoi në përplasje mes qytetarëve dhe policisë, duke u mbyllur pa incidente serioze./ JOQ
©Shqip.com