Lajme

Kusari-Lila: Nëse s’ka arkiva të UÇK-së pse është përmendur në projektligjin për vlerat e luftës?

Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të VV-së

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, i është përgjigjur kritikave ndaj Qeverisë Kurti rreth hapjes së arkivave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo ka pyetur kritikët se “nëse UÇK s’ka arkiva pse diçka e tillë është theksuar si vlerë në projektligjin për vlerat e luftës”.

“Të njëjtit akterë dhe të njëjtat grupime politike ishin në Kuvend legjislaturën e kaluar, kur vetë draftuan dhe prezantuan Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Në atë projektligj Neni 3, pika, 1.11 vlerë e luftës është shënuar: Arkiva e UÇK-së”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të enjten tha se në Bruksel me palën serbe janë dakorduar që të hapen të gjitha arkivat shtetërore, përfshirë ato për UÇK-në.

“Arkivën e UÇK-së nuk e aktualizoi Zëvendës Kryeministri Bislimi, ai ka theksuar se nuk ka arkivë të UÇK-së, por ka arkivë shtetërore të Kosovës. Ndërsa, fatkeqësisht, atë e definuan ata që draftuan projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së”, theksoi ndër tjerash ajo.

Projektligji për vlerat e luftës, vitin e kaluar ishte iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës, mbështetur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.

Por, nuk kishte gjetur mbështetje nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Po ashtu, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian nuk ishin që një projektligj i tillë të miratohej në kuvend.

Kjo pasi pretendohej se një projektligj i tillë si ligj do ta cenonte “lirinë e shprehjes”. /Shqip.com