Kusari-Lila: 2022-ta nuk është vit zgjedhor

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se viti 2022 nuk është vit zgjedhor, përcjell Shqip.com.
Sipas Kusari-Lilës, nuk ka asnjë indikator që tregon se mund të ketë zhbërje të Qeverisë, duke shtuar se kjo e fundit është përkushtuar për një mandat të plotë.
“Nuk shoh asnjë indikator i cili tregon për zhbërjen e qeverisë. Shohim se kemi një qeveri stabile e cila programin dhe mandatin të cilin e ka marrë në këtë vit që po e përmbyllim është e përkushtuar ta realizojë në një mandate të plotë dhe si asnjëherë më parë një stabilitet qoftë në nivelin e qeverisë qoftë në nivelin e kuvendit.
Ne patëm një ndërprerje si kuvend me procesin e zgjedhjeve lokale një ngecje të cilën po e zëvendësojmë me një dinamikë të përshpejtuar. Prandaj ne vitin 2022 nuk e shohim vit zgjedhor por si vit të dinamikë të punës institucionale si në ekzekutiv si në legjislativ”, tha Kusari-Lila për EO.
Deputetja ka folur edhe për dialogun, duke thënë se Kosova vetëm si e barabartë mund të jetë pjesë e proceseve që lidhen me Ballkanin Perëndimor.
“Dialogu vërehet se ka sfidat e veta të theksuara. Ajo çka është evidente është se ka ndryshim të qasjes dhe ka një mënyrë të angazhimit të Kosovës e në veçanti me propozimet të cilat kryeministri Kurti i ka vendosur para përfaqësuesve të BE-së qoftë me marrëveshjen e përbashkët të tregtisë e vendet e rajonit ku Kosova është palë e barbartë qoftë në deklaratën e paqes në mënyrë proaktive ka propozuar ide të reja dokumente të reja të cilat po vërehet që nuk janë marrë parasysh ose nuk janë trajtuar dhe ne duhet të punojmë më shumë në të gjitha nivelet që të tregojmë se Kosova vetëm si e barabartë mund të jetë pjesë e proceseve që lidhen me Ballkanin Perëndimor”./SHQIP.com