Kurti viziton Policinë e Kosovës: S’do të ndalemi së kërkuari drejtësi për krimet e luftës

Kryeministri i vendi, Albin Kurti, gjatë vizitës që bëri sot në Policinë e Kosovës, ka ritheksuar edhe njëherë zotimin për të mos reshtur së kërkuari drejtësi për krimet e luftës.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk parashkruhen e as nuk vjetrohen asnjëherë.
Në njoftim thuhet se kriminelët e luftës dhe urdhërdhënësit e tyre duhet nxjerrë para drejtësisë.
“Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kryeministri Kurti vizitoi Drejtorinë e porsa themeluar për Hetimin e Krimeve të Luftës, që në të kaluarën ka qenë në nivel sektori. Sipas strukturës së re organizative, drejtoria parashihet të ketë 41 zyrtarë hetues”, thuhet në njoftim.
Në takimin e përbashkët me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Republikës së Kosovës, Gazmend Hoxha, Drejtorin e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të emëruar së fundmi, Bashkim Spahiu, hetuesit dhe zyrtarët e kësaj drejtorie, u ritheksua zotimi i Qeverisë për të mos reshtur së kërkuari drejtësi për krimet e luftës.
Përderisa që nga nesër do të fillojnë punën 15 hetues të rinj, procesi i rekrutimit do të vijojë deri në plotësimin e totalit të zyrtarëve të planifikuar me strukturë, pra 41 sosh.
/Shqip.com