Kurti viziton për ngushëllime familjet e viktimave të aksidentit tragjik në Kroaci

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën ka vizituar për ngushëllime familjen Binakaj, në fshatin Baballoq të Deçanit dhe Maloku në Junik, të cilat humbën dy familjaret e tyre në aksidentin tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë, njofton Shqip.com.
Zyra e kryeministrit ka bërë të ditur se Kurti u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe i ka inkurajuar që të gjejnë forcë për ta përballuar dhimbjen që, siç tha ai, është dhimbje e mbarë popullit.
“Familjarët e falënderuan kryeministrin për vizitën dhe për angazhimin e kujdesin që ka treguar Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Kroacisë për të lënduarit dhe për kthimin e trupave të më të dashurve të tyre në Kosovë. Kurse të lënduarve iu dëshiruan shërim të plotë”, thuhet në komunikatë.
Tutje, Kryeministri Kurti ka thënë se institucionet e Kosovës do t’ju qëndrojnë afër të lënduarve që të tejkalojnë më lehtë pasojat e aksidentit.
Gjatë javës, kryeministri Kurti ka vizituar për ngushëllime edhe familjet e tetë viktimave të tjera të aksidentit fatal të autobusit me bashkatdhetarë, të cilët po udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë.
Në aksidentin e 25 korrikut që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, ku u përfshi një autobus me targa të Kosovës, mbetën të vdekur 10 persona, ndërsa u lënduan 45 udhëtarë.
Autobusi i linjës Frankfurt – Prishtinë, kishte 67 udhëtarë, të gjithë shqiptarë që po vinin në Kosovë për pushime.
Në autobus ishin dy shoferë, njëri prej të cilëve vdiq në aksident, derisa tjetri, që ishte duke e drejtuar autobusin, është në paraburgim prej një muaji në Kroaci.
Masa e paraburgimit është vendosur dje nga Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod./SHQIP.com