Lajme

Kurti viziton Janjevën për ditën e Krishtlindjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën e Krishtlindjes, së bashku me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq, kanë vizituar fshatin Janjevë.

Në njoftimin e qeverisë theksohet se Kurti në Janjevë e ka takuar famulltarin e kishës së Shën Kollit, Don Mataj Maliq.

Temë e diskutimeve ishte historiku i komunitetit kroat në fshatin Janjevë. Kujtojmë se, ky fshat ishte vizituar dhe nga Nëna Terezë në vitin 1981, e i cili njihet edhe për bashkëjetesën e shkëlqyer mes komuniteteve.

Gjatë këtij takimi u diskutua dhe për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit për të kontribuar në zhvillimin e Janjevës, dhe në rritjen e mirëqenies së komunitetit kroat dhe të gjithë qytetarëve që jetojnë në Janjevë.

Pas takimit, Kurti mori pjesë dhe në meshën e mbajtur në kishën e Shën Kollit në Janjevë, ku takoi qytetarët e komunitetit kroat dhe shqiptar, dhe u uroi festën e Krishtlindjes.

/Shqip.com