Kurti vizitoi për ngushëllime familjet e dy viktimave të aksidentit tragjik në Kroaci

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi për ngushëllime familjen e S.R., në fshatin Pakashticë të Podujevës dhe të V.I., në Istog, të cilët humbën jetën në aksidentin tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë.
Kryeministri Kurti u shprehu ngushëllime familjarëve për humbjen e më të dashurve dhe i inkurajoi që të gjejnë forcë ta përballojnë dhimbjen, sepse siç ju tha ai, nuk janë të vetëm në këtë tragjedi.
“Kjo nuk është tragjedi vetëm e juaja, por është tragjedi kombëtare dhe i gjithë populli dhe institucionet e Kosovës janë me ju”, tha ai, përcjell Zyra e Kryeministrit.
Kryeministri Kurti theksoi ndihmën e pakursyer të Kroacisë për të aksidentuarit, për ç’gjë shteti i Kosovës është shumë mirënjohës.
Një ditë më parë, kryeministri ka vizituar për ngushëllime edhe familjet e gjashtë viktimave të tjera të aksidentit fatal të autobusit me bashkatdhetarë, tē cilët po udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë.
Në aksidentin e 25 korrikut që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, ku u përfshi një autobus me targa të Kosovës, mbetën të vdekur 10 persona, ndërsa u lënduan 45 udhëtarë.
Autobusi i linjës Frankfurt – Prishtinë, kishte 67 udhëtarë, të gjithë shqiptarë që po vinin në Kosovë për pushime.
Në autobus ishin dy shoferë, njëri prej të cilëve vdiq në aksident, derisa tjetri, që ishte duke e drejtuar autobusin, është në paraburgim prej një muaji në Kroaci.
Masa e paraburgimit është vendosur dje nga Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod./SHQIP.com