Kurti: Unë jam kryeministër i shpresës, Vuçiqi president i frikës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë që normalizimi i raporteve me Serbinë është marrëveshja e plotë e cila në fokus ka njohjen reciproke.
Në një konferencë për media, Kurti tha se Kosova nuk i ka raportet e normalizuara vetëm me Serbinë.
“Marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale dhe duhet t’i normalizojmë. Kosova shtet normal por marrëdhëniet me Serbinë nuk i ka normale. Marrëdhënien me Shqipërinë e ka normale, marrëdhënien me Maqedoninë e Veriut e ka normale, marrëdhënien me Malin e Zi e ka normale, por jo me Serbinë. Dhe këtë marrëdhënien me Serbinë që nuk e kemi normale duhet ta normalizojmë”, tha Kurti.
Kurti tha se pajtohet me SHBA-në për marrëveshje ligjërisht të obligueshme në mes të dy vendeve.
Dhe si duket formula e këtij normalizimi, përsëri pajtohemi plotësisht me SHBA. E ajo është marrëveshja ligjërisht e obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve e cila në qendër ka njohjen reciproke”,
Duke komentuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, se Kurti po bëhet pengesë për dialogun, kryeministri i Kosovës zbuloi se ishte paralajmëruar një takim i nivelit të lartë në Bruksel më 19 korrik po ishte shtyrë për një muaj.

Kurti tha se është dashur të mbahet një takim mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel por që Serbia nuk ka qenë e gatshme.
“Dua të theksoj se me 19 korrik është dashur të mbahet një takim në Bruksel, unë kam qenë i gatshëm, pala tjetër nuk ka qenë e gatshme dhe e ka shtyrë takimin për së paku një muaj. Pra, gatishmëria nga ana e Republikës së Kosovës ka qenë në nivelin e kërkuar nga Brukseli por nga Beogradi mungonte gatishmëria.
Kurti tha se vet ai është kryeministër i shpresës kurse, Vuçiqi është president i frikës.
“Tash unë po i dëgjoj nganjëherë deklaratat që vijnë nga prej kreut shtetëror të Serbisë. Jam kryeministër i shpresës dhe progresit dhe me keqardhje më duhet të konstatoj se presidenti i Serbisë po shfaqet si president i frikës, i frikësimit dhe kërcënimit. Për t’u integruar në BE për normalizim të plotë të marrëdhënieve është e domosdoshme që t’i lëmë frikësimet dhe kërcënimet dhe të orientohemi kah vlerat evropiane, nga fqinjësia e mirë, nga sanksionet ndaj Rusisë dhe nga ballafaqimi me të kaluarën që është i domosdoshëm në Serbi”.
Kurti së bashku me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, sot janë kthyer në Kosovë nga vizita e në SHBA.
Gjatë qëndrimit atje, dy krerët e shtetit janë takuar me sekretarin amerikan, Antony Blinken si dhe kanë marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) në sektorin e energjisë
Osmani ka thënë se administrata amerikane e ka rikonfirmuar se dialogu me Serbinë duhet të ketë në fokus njohjen reciproke në mes dy vendeve./Shqip.com