Kurti u premton përmirësim të kushteve pjesëtarëve të Njësisë Speciale në 15-vjetorin e tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka premtuar përmirësim të kushteve të gjithë pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, përcjell Shqip.com.
Këto deklarata ai i ka bërë në përvjetorin e 15-të themelimit të kësaj Njësie, duke i përgëzuar ata për punën, angazhimin dhe kontributin pa rezervë në sundimin e ligjit.

“Në të njëjtën kohë, u tha ai pjestarëve të Njësisë Speciale Intervenuese, ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për nevojat tuaja dhe për mungesat që ekzistojnë dhe gjithashtu për mundësitë që duhet t’i shtojmë, prej çështjes së mungesës së pajisjeve dhe armatimit në disa prej njësive, mbrojtjeve shtesë në kushtet e rrezikshmërisë së lartë dhe çështjes së pagës.
Kryeministri Kurti tha se nevojat dhe mungesat e tilla do të trajtohen me prioritet jo vetëm nga Ministria e Punëve të Brendshme, por nga i gjithë kabineti qeveritar”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.
Tutje, duke u shprehur mirënjohje për sakrificën dhe situatat e rrezikshme me të cilat përballen, Kurti uroi ata në përvjetorin e tyre, e në veçanti komandantët e njësive.
“Duke u shprehur mirënjohje për sakrificën dhe situatat e rrezikshme me të cilat përballen në punën e tyre, që Republika e Kosovës të jetë gjithmonë vend i kushtetutshmërisë, i ligjshmërisë, i drejtësisë dhe i sigurisë, kryeministri Kurti i uroi për 15 vjetorin e themelimit dhe i përgëzoi për angazhimin në veçanti komandantët e njësive”, thuhet ndër tjerash në njoftim./SHQIP.com