Kurti tregon se çka ka biseduar me Borellin dhe Lajçakun

Kryeministri Albin Kurti në konferencën globale të sigurisë Globsec në Bratisllavë, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe me emisarin për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Kurti tha se u ka bërë të qartë atyre se do të kishte mirëkuptim nëse protestat e serbëve në veri do të kishin qenë paqësore.
“Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta. Por jo grupet me simbole “Z” që sulmojnë policët e ushtarët e KFOR-it e gjuajnë granata e thërrasin “vrisni, vrisni”. Te këto grupe fashiste ne nuk mund ta dorëzojmë demokracinë tonë”, tha Kurti.
Kryeministri tha se nuk mund të ju kërkoj kryetarëve të largohen nga zyret e tyre sepse “kështu do ti bashkohesha ilegalitetit të strukturave paralele”
Ai u pyet edhe për mundësinë që Bashkimi Evropian të paralizojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Jam i brengosur por kurrë i frikësuar, është puna ime të mos jem i frikësuar por i brengosur”, tha Kurti.
Gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve, Kurti ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje por se mbetet vetëm zbatimi i saj.
“Kemi marrëveshje me Serbinë vetëm se duhet ta zbatojmë. Implementimi mungon sepse Beogradi nuk dëshiron ta bëjë atë”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se katër kryetarët e komunave në veri japin dorëheqje sepse Beogradi u kërkoj atyre.
“Në Kosovë kemi pluralizëm politik. Nuk dua të besoj se mund të ketë demokraci pa pluralizëm politik, pa të drejtat e njeriut. Kjo parti e i shqelmoj të gjithë jashtë garës dhe në fund i bojkotuan zgjedhjet
Ne i shtyjmë zgjedhjet për katër muaj. Kandidatët shqiptarë fituan katër prej tyre. Ata janë kryetar me K të vogël jo të madhe, sepse pjesëmarrja ishte e vogël dhe nuk mund të konsideroj se ata kanë legjitimitet të plotë politik, por ligjshmëria dhe kushtetutshmëria duhet të zbatohen, ata janë kryetarë”, tha Kurti.
/Shqip.com