Lajme

Kurti takohet me dyshen Borrell-Lajçak, flitet për avancimin e planit franko-gjerman më 27 shkurt

Foto nga takimi i kryeministrit Kurti me Borell dhe Lajçak

Në kuadër të Konferencës së Mynihut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi takim me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

“U diskutua për procesin e dialogut dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Tutje, bëhet e ditur se u fol edhe për takimin e radhës në Bruksel të thirrur për 27 shkurt nga Bashkimi Evropian.​

Ndërsa, përfaqësuesi Borrell përmes rrjetit Twitter, ka shkruar se me 27 shkurt do të takohen për të avancuar propozimin e BE-së për normalizimin e raporteve me Serbinë.

“U takuam me kryeministrin Kurti për të diskutuar nevojën për të avancuar në Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili është kyç për rrugën e Kosovës në BE. Ne do të takohemi në Bruksel për Takimin e Dialogut të Nivelit të Lartë më 27 shkurt”, ka shkruajtur Borrell.

/Shqip.com