Lajme

Kurti: Serbia nuk ka pranuar ta nënshkruaj marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në takimin trilateral me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, të ndërmjetësuar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, nuk është nënshkruar marrëveshja për të pagjeturit, ndonëse ajo është dakorduar mes palëve.

Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë, ka thënë se pala serbe nuk ka pranuar të nënshkruajë marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë.

“Te tema e personave të zhdukur me dhunë, nuk ka pasur dakordësi nga pala tjetër që të nënshkruhet dokumenti i dakorduar. Pra, për marrëveshjen për të pagjeturit ekziston teksti i dakorduar, por nuk është nënshkruar. Është pala tjetër ajo që nuk ka pranuar. Sa për neve, të enjten ishte nënshkruar kjo marrëveshje”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, kjo marrëveshje mund të nënshkruhej të enjten që shkoi, por që pala tjetër nuk pati interesim dhe doli nga ndërtesa.

Kurti po ashtu ka prezantuar gjashtë propozimet e shpalosura nga delegacioni kosovar në Bruksel./Shqip.com