Teknologji

Kurti: Qeveria po adreson rreziqet kibernetike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se transformimi digjital në të cilin po punon qeveria do të sjell benifite të shumta si për shtetin ashtu edhe për shoqërinë.

Kështu ka deklaruar Kuri në fjalën e tij në konferencën ndërkombëtare për Siguri Kibernetike “Cyber ZERO”.

“Për transformimin digjital ka sfida e rreziqe. Përderisa qeverisja dhe ekonomia e digjitalizuara bëhen gjithnjë e më shumë të varura nga mirëfunksionimi i rrjeteve dhe sistemeve të informacioneve, siguria e hapësirës kibernetike bëhet me rëndësi qenësore për funksionimin e shtetit”, është shprehur Kurti.

Po ashtu Kurti ka bërë të ditur se qeveria është duke i adresuar rreziqet e sigurisë kibernetike përmes një angazhimi, siç tha ai, shumëdimensional.

“Kësisoj në tetor të vitit të kaluar kemi miratuar ligjin për siguri kibernetike, dhe ligji tash është aprovuar në lexim të parë në kuvend. Ky ligj përcakton përgjegjësitë e autoriteteve në fushën e sigurisë kibernetike, detyrat e subjekteve të sigurisë kibernetike, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe masat për parandalimin e sulmeve kibernetike në vendin tonë”, tha Kurti.

Në këtë konferencë ka folur edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ai ka thënë se janë të përkushtuar në mbështetjen e mediave të pavarura e shoqërisë civile efikase.

Hovenier gjithashtu ka deklaruar se janë të përkushtuar që ta mbështesin Kosovën që të shfrytëzojë burimin e saj më të rëndësishëm, që sipas tij është rinia

/Shqip.com