Qeveria me deçanasit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se Qeveria e Kosovës do t’iu përgjigjet nevojave të qytetarëve të helmuar në Deçan, për të përmirësuar situatën, njofton Shqip.com.
Kurti thotë se është në komunikim të vazhdueshëm me vartësit e tij dhe me institucionet përgjegjëse, anipse ndodhet jashtë vendit për vizitë zyrtare.
“Në bisedë me Kryetarin e Komunës, z.Bashkim Ramosaj, jam njoftuar për gjendjen emergjente në Komunën e Deçanit. Për të konkretizuar mbështetjen e Qeverisë dhe për t’u njoftuar nga afër me situatën, sot në Deçan janë Zëvendëskryeministrja znj.Donika Gërvalla dhe Ministri i Shëndetësisë, z.Arben Vitia. Qeveria e Republikës së Kosovës, do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve të prekur nga infeksioni, deri në përmirësimin e gjendjes”, ka shkruar ai.
Kurt inga Athina e Greqisë ka thënë se bashkëndjen me brengën dhe shqetësimin e deçanasve dhe se iu dëshiron shërim sa më të shpejtë pacientëve.
Ky reagim i Kurtit erdhi tri ditë pas paraqitjes së problemit te banorët Deçanas që kërkuan ndihmë mjekësore pas simptomave (vjellje dhe diarre), numri i të cilëve çdo ditë deri më sot ka shënuar rritje.
Madje së fundmi është bërë e ditur se dy persona kanë vdekur nga ky infektim që dyshohet se erdhi nga uji i pijes, derisa shkaqet që çuan në këtë gjendje ende nuk dihen.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka shpallur gjendje emergjente në këtë vend, vendim ky i cili është marrë në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse të Statutit të Komunës së Deçanit. /Shqip.com