Lajme

Kurti preferon ushtarë gjermanë të KFOR-it në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti preferon ushtarë gjermanë të KFOR-it në Kosovë.

Në një intervistë për mediumin Wellt, Kurti ka thënë se kjo kërkesë vjen për shkak të mundësisë së konflikteve nga ana e shtetit të Serbisë.

Kurti ka folur edhe për tri sfidat kryesore gjatë qeverisjes së tij.

“Së pari, ne kemi nevojë për investime të huaja direkt dhe vende të reja pune, veçanërisht për të rinjtë. I inkurajoj të gjitha kompanitë evropiane që të investojnë në Kosovë. Së dyti, duhet të marrim masa edhe më të forta kundër korrupsionit, gjyqësori dhe ndjekja penale duhet të jenë edhe më efikase. Sfida e tretë është: Serbia është një kërcënim për ne. Vendi po ndërton struktura ilegale, veçanërisht në veri të Kosovës, dhe vazhdon të mbajë lidhje shumë të ngushta me Rusinë”, është shprehur Kurti.

Kurti ka shtuar se qytetarët e Kosovës duhet të presin deri në 2 orë për të kaluar kufirin, ndërsa nëse policët marrin ryshfet pritjet mund të jenë më pak.

“Po, masa ka qenë fillimisht e vlefshme më 1 gusht. Ne kemi lëshuar 2679 dokumente udhëtimi atë ditë pa hasur asnjë problem. Dokumentet janë lëshuar në mënyrë digjitale, është bërë brenda 20 sekondave dhe serbëve nuk u kushton asgjë. Në anën tjetër, nëse qytetarët e Kosovës dëshirojnë të udhëtojnë në Serbi, duhet të presin nga dhjetë minuta deri në dy orë, përveç nëse zyrtarët e kufirit marrin ryshfet”, ka shtuar më tutje Kurti.

Marrëveshja e dialogut mes dy vendeve tona duhet të jetë ligjërisht e detyrueshme dhe e bazuar në njohjen reciproke. Një marrëveshje e tillë kërkon një shtrëngim duarsh, ka shtuar më tutje Kurti./Shqip.com