Lajme

Kurti: Policët janë rrëmbyer duke ngrënë drekë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti
Kryeministri i vendit, Albin Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në një konferencë për media ka treguar se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, i ka vizituar tre policët e rrëmbyer ditë më parë nga forcat serbe.

Në vazhdim, ai tha se policët i kanë rrëfyer Jetishit momentin e rrëmbimit nga njësitë serbe.

“Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e kanë rrëfimin e njëjtë kur pyetën ndaras nga njëri-tjetri nga ambasadori ynë. Përshkrimi i policëve është i njëjtë. Janë tri rrëfime të ndara identike, të cilët thonë se në momentin e rrëmbimit më 14 qershor kanë qenë tek tryeza e improvizuar për ngrënie. Pra kanë qenë duke ngrënë drekë kur 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar dhe rrëmbyer”, tha ai.

Kurti tha se kjo heq çfarëdo dileme edhe për ata që “dëshirojnë të jenë skeptikë”.

“Dëshmitë që posedojnë institucionet tona dhe dëshmia e tre policëve dëshmojnë qartë që ishin brenda territorit”, tha ai.

Kurti tha se u ushtrua agresion nga Serbia “sepse po luftohet krimi i organizuar. Për këtë hakmarrje çnjerëzore kemi kërkuar denoncim të hapur nga të gjithë partnerët tonë”.

/Shqip.com