Lajme

Kurti: Përkundër mosnjohjes nga Serbia, ne jemi duke bërë progres

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova, përkundër mosnjohjes nga Serbia, është duke bërë progres.

Gjatë një ligjerate në Universitetin e Kembrixhit, Kurti tha se me Greqinë, Sllovakinë dhe Rumaninë është më i lehtë komunikimi për dallim nga Spanja dhe Qipro të cilat nuk i njohin dokumentet e Kosovës.

“Përkundër mosnjohjes nga Serbia, ne jemi duke bërë progres dhe ky është argumenti kyç që kemi për ta përdorur pozitivisht kur takohemi me grekë, sllovakë, rumunë apo të tjerë. Greqia, Sllovakia dhe Rumania, megjithatë janë më mirë në kuptimin e raporteve me Kosovën, pasi i njohin pasaportat, letërnjoftimin dhe të gjitha dokumentet tjera, në të kundërtën e Spanjës dhe Qipros dhe kanë zyrat ndërlidhëse në Prishtinë poashtu”, tha ai.

Kurti tutje ka thënë që i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që t;i njohë dokumentet e Kosovës.

“Sepse, nëse Serbia dëshiron t’i bashkohet BE-së, së paku t’u bashkohet atyre që nuk e kanë njohur pavarësinë ende në BE. Ashtu siç qëndrojnë gjërat, tani është gati absurditet, sepse nëse shkon me pasaportë në Serbi, mund të arrestohesh dhe ta konfiskojnë”, tha ai./Shqip.com