Lajme

Kurti përkujton betejën e Çabratit të Gjakovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar betejën e Çabratit të Gjakovës.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti është shprehur se ajo konsiderohet si e vetmja betejë e UÇK-së e ngjarë në mjedise urbane.

‘’Ajo konsiderohet të jetë e vetmja betejë e UÇK-së e ngjarë në mjedise urbane. E zhvilluar më 7 maj 1999, beteja e Çabratit të Gjakovës, ishte një përballje luftarake mes ushtarëve të Brigadës 137 “Gjakova” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave të shumta serbe që kishin zbritur nga malet përreth. Ndonëse të pabarabartë në armatime dhe pajisje, UÇK-ja u shkaktoi humbje të konsiderueshme okupatorëve serbë, të cilët u hakmorën mbi popullsinë civile duke vrarë e kidnapuar dhe zhdukur dhjetëra persona.’’ ka shkruar Kurti.

Brigada 137 Gjakova

Kurti po ashtu ka përkujtuar edhe dëshmorët e kësaj beteje.

‘’Në historinë e Gjakovës dhe të Kosovës, përveç këtyre martirëve, duke i mbrojtur ata dhe vendin e tyre, në betejën e Çabratit ranë dëshmorë: Ahmet Gjikolli, Bujar Roka, Tom Gjoka, Kushtrim Hoxha, Dashmir Krasniqi, Visar Juniku, Sefedin Xërxa, Hamëz Zymberi, Agim Haxhiavdyli, Yllka Domi, Ilir Berisha, Taulant Nura, Ali Hoxha dhe Hazir Këpuska.’’ ka shkruar më tutje Kurti.

Sipas Kurtit Gjakova është një prej qyteteve që ka dhënë e përjetuar shumë. Në vazhdën e dhimbjeve të përjetuara, në Çabrat e në rrethinat e qytetit prej datës 7 maj e deri më 11 maj kishte luftime të ashpra.

‘’Nga qytetarët u përjetua një dhunë intensive shtetërore e forcave të Serbisë kundër civilëve shqiptarë.  Më shumë se 300 burra e gra u paraburgosën duke u marrë nga rrugët e nga shtëpitë e tyre në Gjakovë në këtë periudhë.’’ thotë Kurti.

Sot bëhen 23 vjet nga kjo betejë, që në këto javë pranvere na përkujton se sa shumë kemi përjetuar e qëndruar si popull thuhet më tutje në përkujtimin e Kurtit./Shqip.com