Lajme

Haradinaj për situatën në veri: Kurti i ka bërë policët si robër lufte

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke komentuar situatën e krijuar në veri të vendit, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se “i ka bërë policët si robër lufte”.

Sipas tij, është e habitshme që Policia e Kosovës “ka mbetur peng në veri” dhe për këtë ka thënë se Qeveria duhet të japë llogari.

“Ai i ka marrë e i ka bë policinë si rob lufte. Këtë ja ka bërë kryeministri. Në vend se me e pasë një plan operativ ndryshe, vendosi do tenda vendosi një kamp, prej atje e monitoron situatën”, ka deklaruar i pari i AAK-së në emisionin “Pressing” në T7.

Haradinaj më tej ka shtuar se veprimi operacional i kryeministrit Kurti për dërgimin e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në veri është “i njëanshëm për nga aspekti i konsultimit”.

Forcat speciale të Policisë së Kosovës duke monitoruar situatën në veri të vendit

“Ai ka njerëz mjaft të zot në polici që kishin mundur me ia bë një plan operativ, është e njëjta polici kur ia ka qitë kamionët në rrugë. Planin operativ e ka bërë fshehtë ndaj aleatëve të sigurisë. E ka bërë pa aleatët tanë. Nuk precizoj me emra e me adresa. Në rregull nëse je funksional pastaj”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia, ku nga 20 shtatori, çdo veturë duhet t’i zëvendësojë tabelat me ato të Kosovës.

Lexo edhe:
Një flamur i UÇK-së vendoset te Ambasada e Serbisë në Finlandë

Të pakënaqur për këtë, serbët që jetojnë afër pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, i kanë bllokuar rrugët që nga vendosja e reciprocitetit.

Për të mbikëqyrur situatën, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në këto pika kufitare. Ata janë provokuar disa herë nga protestuesit serbë, të cilët lëshonin këngë nacionaliste.

Po ashtu, gjatë ditëve të fundit janë parë edhe helikopterë ushtarak serbë që patrullonin mbi këto pika kufitare./Shqip.com