Kurti për rritjen e çmimit të energjisë: Deputetët e opozitës po shprehin dëshira të parealizueshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se sa i përket krizës së energjisë elektrike në Kosovë, deputetët e opozitës janë duke shprehur dëshira të parealizueshme, përcjell Shqip.com.
Në fjalën e tij në seancën e Kuvendit të Kosovës për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, Kurti tha se nuk ka një të vërtetë ku ka menaxhim të kësaj situate pa pasur rritje të çmimeve apo dhënies së ndihmës shtetërore.
Tutje, ai i cilëson si “fantazi” diskutimet e deputetëve opozitarë, duke thënë se ata “duhet të zbresin në tokë që të diskutojnë” për këtë çështje.
“Unë kam mirëkuptim për dëshirat, unë besoj se njeriu është subjekt i dëshirës. Ne jemi ata që jemi si njerëz për shkak se dëshirojmë. Mirëpo, as subvencion, as shkyçje dhe as shtrenjtim është regjistri i fantazisë. Fantazia nuk është zgjidhje, unë po ju ftoj të zbrisni në tokë dhe të diskutojmë.
Sepse kreativiteti nënkupton propozime të realizueshme e jo përfytyrim të një bote imagjinare që nuk realizohet kurrë. Ju mund ta përfytyroni një botë të tillë, ku nuk ka as subvencion, as shkyçje dhe as shtrenjtim, ajo është fantazi, nuk është realitet. Kam mirëkuptim për dëshirën secili prej neve ka dëshira. por fantazia nuk është zgjidhje”, ka thënë Kurti./SHQIP.com