Lajme

Kurti për Reuters përmend sërish mundësinë e konfliktit të ri në mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se Kosova është e përgatitur kundër një sulmi të mundshëm nga Serbia pasi tensionet me pakicat serbe në Kosovë mund të rezultojnë në një konflikt të ri të armatosur.

Në një intervistë për Reuters, Kurti tha se ata janë vigjilent por jo edhe të frikësua.

“Ne nuk duhet të përjashtojmë se këto politika agresive të Beogradit mund të kthehen gjithashtu në një sulm kundër Kosovës në një mënyrë apo tjetrën. Ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar Nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose më pas, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtojmë mundësinë e tensioneve në rritje dhe konflikteve të reja.”

Sipas Reuters, partitë opozitare në Kosovë e kanë akuzuar Kurtin për frikësimin e investitorëve duke folur haptazi për një konflikt të ri të mundshëm me Beogradin.

Kurti i kundërshton këto akuza. Ai akuzoi Rusinë, e cila është aleati kryesor i Serbisë dhe ka vënë veton ndaj ofertës së Kosovës për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, për një rol në nxitjen e tensioneve në Kosovë.

Flamuri shtetëror i Kosovës dhe ai i Serbisë

“Presidenti despotik (rus) Putin është një njeri i luftës dhe ai do të kishte interes në përhapjen e luftës sepse ai dëshiron të normalizojë luftën,” tha Kurti, duke aluduar në pushtimin nga Rusia të Ukrainës në shkurt.

Tutje, Kurti ka thënë se Kosova është më e gatshme për  vetmbrojtje dhe se gjërat kanë ndryshuar për dallim në vitet e 90-ta.

“Ne kemi institucionet dhe organet tona të sigurisë dhe mbrojtjes, Kosova është një shtet tani, ky nuk është viti 1998, Ky është 2022 kështu që ne jemi shumë më të përgatitur për të mbrojtur sovranitetin tonë, integritetin territorial, për të mbrojtur demokracinë tonë, rendin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe për të mbrojtur përparimin tonë.”

Kujtojmë se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rriten pasi Qeveria e Kosovës mori dy vendime si masa të reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet.

Serbët lokal në veri barrikaduan rrugët të cilat të dërgonin në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bernjak.

Ky barrikadim erdhi në shenjë proteste për dy vendimet e Qeverisë se Kosovës, si masa të reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet.

Me kërkesën e partnerëve ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës pezulloi vendimet për 30 ditë me kushtin që të largohen të gjitha barrikadat në veri të Kosovës.

Kështu, në ditën e dytë të tensioneve u larguan të gjitha barrikadat nga veriu.

Pa u bërë një javë nga këto tensione, në drejtimin e Policisë së Kosovës është shtënë dhjetë herë me armë zjarri në Liqenin e Ujmanit.

Nga autoritetet e Kosovës është cilësuar se ky sulm ka ardhur nga strukturat kriminale në veri të Kosovës./Shqip.com