Lajme

Kurti për gjeneral Reinhardt: I kuptonte dhe bashkëndjente me problemet e popullit të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar një telegram ngushëllimi ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde për ndarjen nga jeta të ish-komandantit të Misionit të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, gjeneralit Klaus Reinhardt.

Vdekjen e gjeneralit Reinhardt, e ka vlerësuar si humbje jo vetëm për familjen, miqtë e bashkëpunëtorët e tij, por edhe për popullin e Kosovës duke shtuar se kontributi i gjeneralit Reindhardt në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vitin e parë të pasluftës në Kosovë është i pamohueshëm, përcjell Shqip.com.

Klaus Reinhardt

“Gjeneral Reinhardt e kuptonte shumë mirë kontekstin historik e politik të Kosovës. Ai bashkëndjente me problemet e popullit që atë kohë përpiqej të rindërtonte jetën në shtëpitë e pronat e djegura e të shkatërruara nga forcat policore e ushtarake të Serbisë”, ka shkruar Kurti.

Përveç ndihmës në rindërtimin e shtëpive e shkollave, gjenerali Reinhardt dha kontribut edhe në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve qeverisëse të Kosovës.

Gjenerali Reinhardt ishte komandanti i dytë i KFOR-it në Kosovë, pas luftës, mission të cilin e mori nga Michael Jackson, i cili ka shërbyer në Kosovë nga 10 qershori i vitit 1999 deri më 8 tetor të atij viti./Shqip.com