Kurti për Bashkim Jasharin: Ushtrisë i duhet ushtari që e ka zemrën plot dashuri për atdheun

“Ushtrisë që i shërben popullit, i duhet ushtari me zemrën plot dashuri për atdheun, ushtari që të përbashkëtën e vetëmohimin i lartëson në detyrën që i besohet, ushtari që të ardhmen e sheh përmes idealit të dëshmorit”.
Gjitha këto ideale për kryeministrin e Kosovës i ka Bashkim Jashari – që të martën u emërua si Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Emërimin e tij e bëri presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – pas dorëheqjes së Rrahman Ramës nga posti.

“Ushtria jonë është e re, por me pjekuri të thellë e histori të lavdishme. Vazhdimësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës, është shtylla jonë e fortë mbi gurthemelin e Republikës”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Po ashtu, Kurti e përmendi edhe Rrahman Ramën i cili ka shërbyer në FSK për vite.
“Komandantit Jashari i dëshiroj punë të mbarë në detyrën e tij të re. Gjenerallejtnant Rrahman Ramën e falënderoi për kontributin e tij dhe po ashtu i dëshiroj suksese në angazhimin e mëtutjeshëm si përfaqësues yni në RACVIAC”, u shpreh Kurti. /Shqip.com