Kurti për Albright: I dhamë lamtumirën një gruaje që ka kontribuar më shumë se çdokush për Kosovën

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, dhe ish presidenten Atifete Jahjaga, morën pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, në ambientin historik të Katedrales Kombëtare në Washington.
Duke kujtuar Albright, shefi i qeverisë tha se ” i dhamë lamtumirën e fundit një gruaje që ka kontribuar më shumë se gati çdokush tjetër për popullin tonë, në momentet e tij më të vështira”.
“Nga ambasadore e ShBA-ve në OKB te Sekretare Amerikane e Shtetit, nga administrata e Presidentit Jimmy Carter tek ajo e Presidentit Bill Clinton, nga përvoja në fëmijëri si refugjate e persekutimit nazist te vepra e saj e fundit mbase më i rëndësishmi libër anti-fashist në shekullin XXI, Zonja Sekretare Madeleine Albright ka lënë trashëgimi tejet të pasur për politikën, diplomacinë dhe historianët. Kurse për Kosovën dhe shqiptarët ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë dhe emri i saj i përveçëm Madeleine Albright i përkasin të njëjtës fjali”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti, po ashtu tha se në kuadët të ceremonisë është takuar me sekretarin aktual të Shtetit, Antony Blinken, ish-presidentin Bill Clinton, ish-kongresistin Eliot Engel e të tjerë.
“Në kuadër të ceremonisë, patëm rast të takoheshim me mysafirë të tjerë dhe miq të çmuar të Kosovës, duke përfshirë sekretarin aktual të Shtetit, z. Antony Blinken, ish presidentin e ShBA-së, z. Bill Clinton, ish zëvëndëspresidentin, z. Albert Gore, ish sekretarët e Shtetit znj. Hillary Rodham Clinton, znj. Condoleezza Rice dhe z. John Kerry, si dhe ish kongresistin z. Eliot Engel. Përveç Presidentit Joseph Biden, ish Presidentit Bill Clinton dhe ish Sekretares së Shtetit Hilary Clinton, fjalim prekës mbajtën edhe tri vajzat e saj: Alice, Anne dhe Katharine”, shkroi Kurti.
Theksojmë se në ceremoninë e varrimit të Albright janë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Albright ka ndërruar jetë më 23 mars në moshën 84 – vjeçare.
Ajo vdiq nga kanceri, u bë e ditur në një njoftim të publikuar nga familja Albright në rrjetin social Twitter.
Madeleine Albright u lind në Pragë të Çekosllovakisë së atëhershme më 15 maj 1937. Së bashku me familjen e saj shpërngul në SHBA më 1948.
Madeleine Albright ishte gruaja e parë e zgjedhur në këtë post më 1997. Në këtë post shërbeu deri në vitin 2001, në administratën e Bill Clintonit.
Albright ka qenë sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.
Për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, në Prishtinë u zbulua busti për nder të saj.
Po në vitin 2019, Kosova e kishte dekoruar ish-sekretaren Albright me Urdhrin e Lirisë./Shqip.com