Kurti pas takimit me Lajçak: u pajtuam se s’ka alternativë tjetër për zgjerim të BE-së pa përfshirje të tërë Ballkanit Perëndimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas fjalimit të mbajtur në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë, është deklaruar rreth takimit të tij që zhvilloi sot në këtë forum me ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, njofton Shqip.com.
Kurti me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, tha se në këtë takim, ata u pajtuan për rëndësinë e afrimit të perspektivës së BE-së me njerëzit se nuk ka alternativë tjetër për procesin e zgjerimit të BE-së pa përfshirjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Ne diskutuam marrëdhëniet BE-Ballkan Perëndimor, si dhe takimet e mëparshme dhe të ardhshme të dialogut me Miroslav Lajçak në Forumin Strategjik të Bledit. Ne u pajtuam për rëndësinë e afrimit të perspektivës së BE-së me njerëzit dhe se nuk ka alternativë për procesin e zgjerimit të BE-së për rajonin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai.
We discussed EU-Western Balkans relations as well as the previous and upcoming dialogue meetings with @Lajcak at #BSF. We agreed on the importance to bring EU-perspective closer to people and that there is no alternative to EU enlargement process for the WB6 region. pic.twitter.com/Ga9ce77wO6
— Albin Kurti (@albinkurti) September 1, 2021
“Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën është shumë i rëndësishëm dhe i fortë”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë, ku po merr pjesë bashkë me liderët e tjerë të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Gjithsesi, pjesa më e madhe e fjalimit të Kurtit ka qenë e zhvendosur te zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Reformat duhet të bëhen krahë për krahë me njëra tjetrën”, deklaroi ai.
“Ne besojmë që BE duhet mbrojtur dhe përkrahur, për këtë qëllim duhet të kryejmë reformat në vendet tona, por të njëjtën kohë edhe të ecim me zgjerimin e BE-së”.
Pos reformave në shtetet ballkanike veç e veç, Kurti është shprehur se edhe vetë BE duhet ta ri-modelojë procesin e vendimmarrjes.
Ajo çfarë i duhet BE-së, beson Kurti, janë “një sërë reformash” për të cilat duhen “hapat të guximshëm”.
Për takimin Kurti-Lajçak, ka folur edhe ky i fundit, i cili zgjodhi Twitterin që të tregojë se ka zhvilluar dy takime të ndara me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë.
Lajçak i ka cilësuar këto takime të veçanta, të rëndësishme e thelbësore për shkak të diskutimeve sa i përket hapave të ardhshëm në javët e ardhshme që pritet të ndërmerren në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. /Shqip.com