Kurti: Nuk e pranojmë shkëmbimin territorial – është ide mesjetare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “shkëmbimin territorial”, mes shteteve e cilëson si “ide mesjetare”.
Madje, thotë se një ide e tillë është në natyrën e autokratëve, pasi sipas tij “ata territorin e shohin sikur të ishte pronë e tyre”.
Këto konstatime kreu i ekzekutivit kosovar i bëri të hënën gjatë një interviste me gazetën kroate Veçernji List.
“Nuk jemi në mesjetë, me monarkë që i konsiderojnë territoret e shtetit si vendin e babait apo monarkut, dhe populli si familje e atij që sundon”, ka thënë Kurti.
Shton se shkëmbimin e territoreve nuk e duan shqiptarët, për këtë thotë se i ka fituar zgjedhjet në mënyrë demokratike.
Por, sipas Kurtit jo veç shqiptarët – as serbët nuk e duan një shkëmbim të tillë.
“Atë e dëshiron vetëm presidenti i Serbisë”, deklaroi Kurti.
Pretendon se presidenti i Serbisë e dëshiron “boshnjëzimin e Kosovës”, përmes Asociacionit të Komunave me Shumcië Serbe.
Pasi kjo sipas kryeministrit do ta bënte Kosovën një shtet “tërësisht jofunksional”.
Si në intervistën dhënë për BBC-në, të njëjtën e tha sërish “Asociacion monoetnik nuk do të ketë”.
Përkundër refuzimit nga Prishtina, Beogradi vazhdon me kërkesën e njëjtë; zbatojeni marrëveshjen e Brukselit – krijone Asociacionin.
Mirëpo 24 nene të asaj marrëveshjeje janë në kundërshtim të Kushtetutës së Kosovës, me verdikt po të Gjykatës Kushtetuese.
“Kushtetuta nuk është Kuran e as Bibël”, thoshte emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak.
“Ajo mund të ndryshohet”. Kosova s’e pranoi si të mirëqene deklaratën e sllovakut.
Megjithatë, Beogradi zyrtar mendon se “Kosova e ndryshon Kushtetutën për t’u bashkuar me Shqipërinë”.
Pengesë është neni 1 paragrafi 3 – mirëpo nëse do të organizohej ndonjë referendum kryeministri i Kosovës do të votonte pro bashkimit – thënë nga vetë Kurti.
Deklarata e tij ka ngjallur reagime në Serbi – e cilësuan si “papërgjegjësi’ që mund të “destabilizojë rajonin”.
Sidoqoftë, media “economic”, tregon për një forcim të ushtrisë serbe, madje shkruan se “fqinjëve nuk do të ju pëlqejë kjo”.
Kërcënimi nga Serbia ishte parë qartazi në shtator – kur Prishtina vendosi ta zbatonte marrëveshjen për targat. Ndërsa, mjete ushtarake tokësore e ajrore qëndronin aty; pranë kufirit Serbi-Kosovë.
Dy javë kishte pasur ngërç aty pari, derisa është arritur marrëveshje e përkohshme për targat në Bruksel, më 30 shtator.
Po, marrëveshje e përkohshme, ashtu siç shihet i gjithë raporti Kosovë-Serbi. /Shqip.com