Kurti: Njohja e ndërsjellë është në qendër të dialogut me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se tema e parë në zyrën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes.
Në adresimin e tij në Seminarin e 102-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të transmetuar nga KP, Kurti tha se njohja e ndërsjellë nuk është në fund të marrëveshje por, në qendër të saj
“Dialogu nuk duhet të shërbejë vetëm për menaxhim krizash dhe jo vetëm për të dialoguar por dialog për marrëveshje. Tani jemi futur në një fazë të re që prej 18 gushti të këtij viti. Tema e parë në zyrën e Borrell ishte korniza e marrëveshjes. Pra, dialogim për marrëveshje dhe do të diskutojmë për këtë kornizë të përgjithshme. Tani, njohja e ndërsjellë nuk është në fund por është në qendër të marrëveshjes, jo në fund të procesit. Unë nuk po them se nuk do të ketë tema të tjera, pika tjera në marrëveshje por pjesa qendrore ka të bëjë me njohjen e ndërsjellë”, tha Kurti.
Kurse lidhur me Manastirin e Deçanit, Kurti tha se ai është optimist se kjo çështje do të zgjidhet.
“Në rastin e Manastirit të Deçanit janë 24 hektarë të cilët ju dhanë asaj para 25 vitesh nga ana e regjimit të Millosheviqit. Ne kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese por, po ashtu ka disa lëndë administrative në lidhje me këto prona. Unë besoj që kjo çështje do të zgjidhet dhe jam optimist mirëpo, është me rendësi që të kemi një dialog në mes Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve fetare në Manastirin e Deçanit”.
I pari i ekzekutivit tha se ka kërkuar që të dialogojë me autoritetet fetare të Manastirit të Deçanit por, këta të fundit nuk e kanë pranuar.
“Unë kam kërkuar që të takohem me ata por me refuzojnë. Ne besojmë që mund të përfshihemi në dialog dhe mund të zgjidhim të gjitha problematikat që i kemi. Ne duam ta ruajm dhe ta mbrojmë Manastirin e Deçanit e cila është trashëgimi kulturore e të gjithë qytetarëve”.
Krahas kësaj, Kurti foli edhe për situatën në veri të Kosovë ku tha se problem janë strukturat ilegale atje.
“Ne nuk i kemi problemet kryesore me Serbinë në kufi. Ne nuk kemi problem me popullatën serbe por, problemi kryesor i yni është me disa struktura të caktuara të cilat kanë ndikim tek popullata serbe dhe të njëjtën kohë merren më shumë aktivitete kontrabandimi në kufi”.
Ndërsa, për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovës, Kurti tha se është rrezikshmëria e skepticizmit të disa vendeve anëtare të BE-së.
Szunyog: Shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën presin përparim në dialogun me Serbinë – SHQIP.com
Pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës janë Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se sipas diskutimeve me përfaqësues të këtyre shteteve, ata janë duke pritur përparim në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për Radio Kosova krahas përparimit në dialog, Szunyog tha se këto pesë shtete presin edhe normalizim të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Sipas asaj që kam parë unë gjatë diskutimeve të mia me përfaqësues të zyrave ndërlidhëse të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën por që kanë zyrat e tyre në Prishtinë, ata presin të shohin përparim në dialogun me Serbinë dhe normalizim të raporteve. Kjo mendoj që mund të ndikojë te këto shtete për të parë se si do të vazhdojnë më tutje”, ka deklaruar Szunyog.
Vlen të theksohet se që nga shpallja e pavarësisë, 117 vende e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur. Izraeli është vendi i fundit që ka njohur pavarësinë e Kosovë, dy vite më parë.
/Shqip.com