Lajme

Kurti nga Parsi: Është detyrë e jona të jemi progresistë për barazi dhe drejtësi në mbarë botën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Është detyra jonë si liderë, shkencëtarë dhe aktivistë që të mos qëndrojmë anash historisë, por të bëhemi progresistë për ta përqafuar dhe formësuar atë duke avokuar për më shumë barazi dhe drejtësi në mbarë botën”.

Kështu është shprehur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një video-mesazh nga Samiti i Paqes në Paris drejtuar pjesëmarrësve.

Forumi i Paqes është duke u mbajtur në Paris nën patronatin e presidentit francez, Emanuel Macron.

E pranishme në këtë samit është edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Diskutime pati sot (e enjte) dhe do të vazhdojnë edhe nesër (e premte) mes 450 pjesëmarrësve nga 130 shtete.

Edicioni i sivjetshëm, i cili po mbahet në kuadër të shënimit të Ditës së Pajtimit në Luftën e Parë Botërore, do t’i kushtohet rimëkëmbjes ekonomike pas epidemisë së virusit korona.

Forumi i Paqes u nis në vitin 2018 nga Macron me qëllim promovimin e multilateralizmit./SHQIP.com