Lajme

Kurti në Vjenë takohet me përfaqësues të komunitetit të energjisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me përfaqësues të energjisë në Austri

Gjatë vizitës zyrtare në Austri, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Dr.Dirk Buschle, zv. Drejtor i Sekretariatit dhe Arben Kllokoqi, Ekspert i Tregut të Energjisë Elektrike në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, përfaqësuesit e Komunitetit të Energjisë theksuan gatishmërinë për të mbështetur Kosovën në çdo aspekt të mundshëm, përfshirë vizionin për sektorin e energjisë dhe për tranzicion energjetik.

“Dekarbonizimi është i mundshëm dhe Kosova mund të bëhet një rast, që dëshmon se mund të bëhemi më të gjelbër edhe kur 95% të prodhimit varet nga lëndët djegëse fosile, thanë ata”, përcjell ZKM-ja.

Gjatë këtij takimi u tha se Kosova duhet të shfrytëzojë kapacitetet e saj të qymyrit, ndërsa duhet filluar largimi gradual, në mënyrën e duhur, si dhe të ketë masa rehabilituese për të mbështetur tranzicionin.

“Kryeministri Kurti veçoi punën e Qeverisë për Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2022-2031, që për herë të parë në Kosovë hartohet duke u bazuar në të dhëna e studime”.

Po ashtu u fol edhe për bashkimin e tregjeve të energjisë, në përputhje me Agjendën Evropiane për integrimin e tregjeve.

“Më tej u diskutuan çështjet problematike të ndërlidhjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk po shfrytëzohet komercialisht, për shkak të pengesave nga pala serbe”.

“U bisedua edhe për sfidat e furnizimit me energji elektrike, meqenëse po i afrohemi stinës së dimrit, në një periudhë të ngritjes së jashtëzakonshme të çmimeve të energjisë elektrike”, thuhet në fund të komunikatës për media./SHQIP.com