Lajme

Kurti në takim me politikanët nga Lugina e Preshevës: Pasivizimi i adresave është spastrim etnik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me politikanët nga Lugina e Preshevës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim politikanët nga Lugina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanoci.

Në njoftim nga Qeveria e Kosovës është bërë e ditur se pavarësisht ftesës, në takim nuk ishin, Kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi dhe Kryetari i Kuvendit të Preshevës, njëherit kryetar i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu.

“Gjatë këtij takimi u diskutua për rezultatet e procesit zgjedhor në Serbi, veçanërisht për tri komunat me shumicë shqiptare. Në këto zgjedhje morën pjesë edhe partitë shqiptare, të cilat garuan me dy lista “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare’”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit, Kurti ka folur edhe pasivizimin e adresave të banorëve në këto komuna, ku ka thënë se ky është një spastrim etnik administrativ i heshtur e që po sjellë pasoja të mëdha.

“Kjo metodë e Serbisë, që iu mohoi të drejtën elementare e demokratike, atë të votës, solli edhe rezultate jo të kënaqshme. Andaj, këto zgjedhja as nuk ishin të lira e as demokratike”, ka thënë Kurti në takim.

Kryeministri Kurti më tej tha se gjendja e shqiptarëve në përgjithësi në këto komuna, me politika diskriminuese e shtypëse të Serbisë, kërkon angazhim të përbashkët e vigjilencë të shtuar.

Në këtë takim morën pjesë, Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, Zëvendëskryetari i komunës së Preshevës dhe njëherit Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, Kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, Naser Aziri, Kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik, Shqiprim Musliu, Kryetari i Alternativës Demokratike Shqiptare, Armend Aliu, këshilltari komunal i Medvegjës, Fehmi Beha, dhe anëtari i Këshillit për marrëdhënie ndëretnike në komunën e Medvegjës, Arben Ferati./Shqip.com