Lajme

Kurti në Seul: Kosova admiron të arriturat e Koresë së Jugut

Kryeministri Albin Kurti në Seul

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ftesë të Federatës së Paqes Universale (UFP),  po merr pjesë në Samitin e Paqes 2023, që po mbahet në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul.

Bëhet e ditur se  “Sfidat Bashkëkohore të Rendit Botëror: Drejt një Kulture Botërore të Paqes” është titulli i samitit në këtë vit. Kryeministri Kurti sot gjatë ditës së parë ishte pjesëmarrës në dy panele diskutimi.

Kurti me këtë rast veçoi dy trende që po dominojnë botën sot; liria, paqja dhe demokracia në njërën anë, dhe invazioni, lufta dhe autokracia në anën tjetër. Trende këto që janë shpërfaqur sidomos pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë, dhe të cilat janë të pranishme edhe në rajoni indo-pacifik.

Ai shtoi se Kosova admiron të arriturat e Koresë Jugore, Japonisë, Singaporit dhe Taivanit në fushën e digjitalizimit, teksa tha se kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme me shtetet tjera si Australia, Zelanda e Re, Tailanda, Malajzia e pothuajse me të gjithë Ishujt Pacifik.

“Jemi të interesuar dhe të përkushtuar të punojmë në të ardhmen, mbi bazën e respektit reciprok dhe vlerave të përbashkëta, për të promovuar paqen, stabilitetin, demokracinë dhe prosperitetin”, tha ndër të tjera kryeministri Kurti në fjalën e tij hyrëse.

Ndërkaq, gjatë pasdites, kryeministri ishte panelist në diskutimin që në fokus kishte Evropën dhe Lindjen e Mesme, ku pati mundësi që të ndajë me të pranishmit këndvështrimin e tij sa i përket zhvillimeve dhe situatës në Ballkanin Perëndimor.

Kurti po ashtu foli edhe për rolin dhe qëndrimet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke theksuar këtu linjëzimin e qëndrimeve dhe politikave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në kundërpërgjigjen e përbashkët ndaj Rusisë pas agresionit të saj mbi Ukrainën, dhe për ndihmën që Kosova ka ofruar për qytetarët ukrainas, sikurse edhe për ata afganë.

/Shqip.com