Lajme

Kurti në përkujtim të Srebrenicës: Ne e duam paqen, vetëm duke e kërkuar drejtësinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori pjesë në tubimin përkujtimor me rastin e 28-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, organizuar nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, në bashkëpunim me prof. Nexhmedin Spahiu, që u mbajt në Institutin e Historisë.

Duke kujtuar gjenocidin e tmerrshëm që ndodhi 28 vjet më parë në Srebrenicë, kryeministri Kurti tha se na kujtohen 8732 burra e djem boshnjakë që nuk ju dha as më e vogla fije shprese për mbijetesë, e të cilët u masakruan pamëshirshëm, nga dora e shtetit armik. “Na dalin përpara kolonat e 30 mijë grave, fëmijëve e pleqve që u abuzuan dhe detyruan të shpërngulen nga vendi i tyre. Na kujtohen ata një mijë persona trupat e të cilëve ende nuk janë gjetur as sot. Na kujtohet dhe na mundon gjithmonë fakti që kriminelët kurrë nuk morën dënimin e merituar. Pa çka se Serbia u bë përgjegjëse që nuk e ndaloi kryerjen e gjenocidit, ajo nuk u mbajt asnjëherë përgjegjëse që e kreu pamëshirshëm këtë gjenocid”, tha në fillim të fjalës kryeministri Kurti.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri përmendi të dhënat e Qendrës për të Drejtën Humanitare e udhëhequr nga Natasha Kandic, sipas së cilës katër mijë oficerë të armatës jugosllave nga Serbia luftuan kundër boshnjakëve në Bosnjë e Hercegovinë, e që janë paguar nga Serbia. Po ashtu, i gjithë armatimi dhe uniformat iu shkonin nga Serbia. Prej 25 mijë serbëve që u vranë në Bosnje, më pak se 1/5 ishin civilë. “Serbia është përgjegjëse sepse në fund të fundit Marrëveshjen e Dejtonit e ka nënshkruar Presidenti i Serbisë, Millosheviq” tha ai.

Më tej, Kryeministri Kurti, tha se Radovan Karaxhiqi e Ratko Mlladiqi tashmë janë dënuar për pjesëmarrjen në gjenocid, dhe me shumë vonesë u dënuan edhe Jovica Stanishiqi e Frenki Simatoviqi, për implikim në krimet e kryera nga Serbia në Bosnjë. Kjo, siç tha ai, është tregues që gjenocidi në Bosnjë nuk ka ndodhur së brendshmi, por nga jashtë dhe se përgjegjës nuk janë vetëm disa serbë të Bosnjës, por Serbia si shtet. 

“Prandaj, ende nuk ka drejtësi e paqe për Srebrenicën dhe Bosnje dhe Hercegovinë. Prandaj, kjo mizori peshon rëndë në ndërgjegjen ndërkombëtare edhe më shumë se çerek shekulli më vonë”, u shpreh kryeministri.

Ai rikujtoi se dy vite më parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës është miratuar një rezolutë, me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe ftohet Qeveria e Kosovës të nderojë viktimat dhe kujtimin e kësaj date.

Në atë rezolutë pika nr. 6 shkruan se Kuvendi i Kosovës:

“Fton të gjitha shtetet e rajonit, që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.”

Në këtë tubim ndër të tjerë, të pranishëm ishin edhe Shemsudin Mehmedoviq, deputet në Parlamentin e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Fatmir Xheka, Ministër i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave nga Mali i Zi.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Mirëmbrëma të gjithëve,

për hir të komunitetit boshnjak, të familjeve të viktimave dhe të mysafirëve, do të flas në gjuhën boshnjake sonte.

E nderuar Emilja Rexhepi, Zëvendëskryeministre e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejta të Njeriut,

I nderuar Shemsudin Mehmedoviq, Deputet në parlamentin e Bosnjës dhe Hercegovinës,

I nderuar Fatmir Xheka, Ministër i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave nga Mali i Zi,

I nderuar profesor Nexhmedin Spahiu,

Shkëlqesi ambasadorë,

Të nderuar ministra, deputetë dhe zëvendësministra,

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe zotërinj,

Gjithmonë kur afrohet përvjetori i masakrës së Srebrenicës, duke e kujtuar atë gjenocid të tmerrshëm, na kujtohen të njëjtat gjëra.

Pashmangshëm na kujtohet Mlladiqi, Skorpionët, ideologjia çetnike që u përdor nga Serbia fillimisht në Kroaci e Bosnje e më pas edhe në Kosovë.

Na kujtohen ata 8732 burra e djem boshnjakë që nuk ju dha as më e vogla fije shprese për mbijetesë, e të cilët u masakruan pamëshirshëm, nga dora e shtetit armik.

Na dalin përpara kolonat e 30 mijë grave, fëmijëve e pleqve që u abuzuan dhe detyruan të shpërngulen nga vendi i tyre.  Na kujtohen ata një mijë persona trupat e të cilëve ende nuk janë gjetur as sot.

Na kujtohet dhe na mundon gjithmonë fakti që kriminelët kurrë nuk morrën dënimin e merituar. Pa çka se Serbia u bë përgjegjëse që nuk e ndaloi kryerjen e gjenocidit, ajo nuk u mbajt asnjëherë përgjegjëse që e kreu pamëshirshëm këtë gjenocid.

Nga Qendra për të Drejtën Humanitare që udhëhiqej nga Natasha Kandiq, e dimë se afër katër mijë oficerë të armatës jugosllave nga Serbia luftuan kundër boshnjakëve në BeH dhe janë paguar nga Serbia. Po ashtu i gjithë armatimi dhe uniformat iu shkonin nga Serbia. Prej 25 mijë serbëve që u vranë në Bosnjë, më pak se 1/5 ishin civilë. Serbia është përgjegjëse sepse në fund të fundit Marrëveshjen e Dejtonit e ka nënshkruar Presidenti i atëhershëm Serbisë, Millosheviq.

Radovan Karaxhiqi e Ratko Mlladiqi tashmë janë dënuar për pjesëmarrjen në gjenocid, dhe me shumë vonesë u dënuan edhe Jovica Stanishiqi e Frenki Simatoviqi, për implikim në krimet e kryera nga Serbia në Bosnjë. Kjo është tregues që gjenocidi në Bosnjë nuk ka ndodhur së brendshmi, por nga jashtë. Që përgjegjës nuk janë vetëm disa serbë të Bosnjës por Serbia si shtet.

Prandaj, ende nuk ka drejtësi e paqe për Srebrenicën dhe BeH. Prandaj, kjo mizori peshon rëndë në ndërgjegjën ndërkombëtare edhe më shumë se çerek shekulli më vonë.

Ajo që mund të bëjmë ne si Kosovë është shumë pak, por jo asgjë. Dy vite më parë në Kuvendin e Republikës sonë kemi miratuar një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe ftohet Qeveria e Kosovës të nderojë viktimat dhe kujtimin e kësaj date.

Në atë rezolutë pika nr. 6 shkruan se Kuvendi i Kosovës:

“Fton të gjitha shtetet e rajonit, që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.”

Ne duam paqe, bashkëpunim, dhe barazi mes shteteve e popujve në Ballkan. Por themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e pamendueshme se si, edhe në shekullin XXI, ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut e kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e duke vendosur drejtësi, dhe i vetmi dialog i mirë ndodh kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve.

Kur Raphael Lemkin në librin e tij “Axis Rule in Occupied Europe” kishte përdorur termin GJENOCID për herë të parë, dyshoj të ketë konsideruar mundësinë e diskrepancës mes aspektit teorik dhe praktik të termit.

Dyshoj shumë që kur Lemkin ka folur për gjenocidin, të ketë menduar që dikush në shekullin XXI do të arrijë të ndërtojë një narrativë të tërë diskutimi bazuar në mohimin e gjenocidit.

Gjenocidi si fjalë nuk është zbuluar për t’u mohuar. Por për të potencuar egërsinë dhe johumanitetin e krimeve që shkojnë përtej asaj që termet si krime lufte e krime kundër njerëzimit përfshijnë.

Ende sot, gjenocidi nënkupton ndërmarrjen e veprimeve me qëllim të shkatërrimit (të plotë ose të pjesshëm) të grupeve në aspektin kombëtar, etnik, racor ose fetar.

E çka ka ndodhur në Srebrenicë para 28 viteve nuk është asgjë më pak se gjenocid. Asgjë më pak se shënjestrim i qëllimshëm i viktimave për shkak të ekzistencës së tyre.

Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi i Srebrenicës është i shumëfishtë. Ai shkon përtej 8.273 burrave dhe djemve të vrarë. Përtej 30 mijë fëmijëve e pleqve të abuzuar e të shpërngulur me dhunë. Dëmi i shkaktuar transferohet secilin vit te dhimbja e nënave. Lotët e motrave. Traumat e përjetuara. Vuajtjet e patrajtuara. Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet. Por ai mund të njihet duke u pranuar. E në kohën kur jetojmë ne, viktimave u vendoset kripë në plagë secilën ditë kur gjenocidi i Srebrenicës mohohet paturpshëm nga Serbia.

Kur roli i atij agresioni të tmerrshëm minimizohet deri në pafundësi.

Kur organet që do të duhej të dilnin e të kërkonin falje me përulje, dalin e paturpësisht mohojnë ekzistencën e gjenocidit. E ne si Kosovë plagët i kemi po ashtu ende të hapura. Të gjalla.

Kujtimet e freskëta. Dhimbjen e madhe.

Sepse kur përkujtojmë Srebrenicën, pashmangshëm kujtojmë krejt çka ka ndodhur në Kosovë. Gjenocidin e kryer dhe mungesën e marrjes së përgjegjësisë për të.

Andaj, më lejoni ta përfundoj këtë fjalë timen me fjalën e Fouad Riad – Gjyqtar në Tribunalin e Hagës me rastin e konfirmimit të aktakuzës ndaj Mladic dhe Karadzic për Srebrenicën në nëntor 1995.

“Provat e paraqitura nga Prokurori përshkruajnë skena dhe egërsi të paimagjinueshme: mijëra burra të ekzekutuar e të varrosur në varr masiv, qindra burra të varrosur për së gjalli, gra e burra të gjymtuar e të masakruar, fëmijë të vrarë para syve të nënave të tyre, një gjysh që u detyrua të hajë mëlçinë e nipit të tij. Këto janë me të vërtetë skena nga ferri, të shkruara në faqet më të errëta të historisë njerëzore”.

Në kohëra si këto, duhet të kujtojmë që hapi i parë i përsëritjes së gjenocidit është mohimi. Andaj duhet të jemi të vëmendshëm e të zëshëm në përkujtimin tonë dhe kërkesat tona për njohje dhe përulësi ndaj një prej gjenocideve më makabre të ndodhur në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Ne e duam paqen vetëm duke kërkuar drejtësinë. Kush e harron drejtësinë, nuk punon për paqe.

U preheshin në paqe viktimat e Srebrenicës dhe lavdi sakrificës dhe qëndresës njerëzore!

Ju falemnderit.

/Shqip.com