Kurti: Ndërmarrjet publike do t’i shndërrojmë në korporata të fuqishme

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Fondin Sovran. 62 deputetë, kanë votuar pro këtij projektligji, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Si pjesë e Projektligjit për Fondin Sovran në lexim të dytë u përfshin 47 amendamente.
Lidhur me Fondin Sovran ka shkruar sot edhe Kurti duke thënë se Fondi Sovran do të punojë t’i shndërrojë ndërmarrjet publike në korporata të fuqishme të vendit dhe më gjerë.
“Fondi Sovran do të punojë që t’i forcojë ndërmarrjet publike të vendit dhe ato t’i shndërrojë në korporata të fuqishme të vendit dhe më tej.”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë:
Fondi Sovran i Republikës së Kosovës drejt jetësimit
Pas një pune të gjatë ekipore në konceptin dhe ligjin për Fondin Sovran, në bashkëpunim me donatorët, ekspertët dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë që e kanë mbështetur këtë projekt, Kuvendi i Republikës së Kosovës sot miratoi në leximin e dytë Projektligjin për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës.
Me këtë vendim e vendosëm Kosovën në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës dhe vumë bazën për krijimin e një trashëgimie për gjeneratat e ardhshme. Fondi Sovran do të punojë që t’i forcojë ndërmarrjet publike të vendit dhe ato t’i shndërrojë në korporata të fuqishme të vendit dhe më tej. Fondi Sovran do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore financiare dhe duke e ngritur dhe shtuar qarkullimin e kapitalit investiv për gjithë ekonominë e vendit.
Ligji është vetëm hapi i parë, meqë Qeverinë e presin punë të shumta në ndërtimin e strukturës organizative të Fondit Sovran dhe në thellimin e reformave në sektorin publik për përgatitjen e ndërmarrjeve që do të inkorporohen si asete të Fondit Sovran. Për këtë ne do të vazhdojmë të punojmë me ekspertët e vendit dhe ata ndërkombëtarë dhe të mësojmë nga përvojat më të mira ndërkombëtare të fondeve sovrane në Evropë dhe në botë, por edhe në nismën për krijimin e kornizës ligjore për tregun e kapitalit në Kosovë.
/Shqip.com