Lajme

Kurti: NATO mbron Kosovën por edhe Kosova mbron NATO-n

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se jo vetëm që NATO-ja e mbron Kosovën por edhe Kosova e mbron NATO-n.

Në adresimin e tij në Seminarin e 102-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të transmetuar nga KP, Kurti tha se kjo mbrojtje e Kosovës ndaj NATO-s është pikërisht mbrojtja e historisë së suksesit të tyre.

“Ndonëse Kosova nuk është pjesë e NATO-s, NATO është në Kosovë dhe jemi pjesë e historisë së njëri-tjetrit. Kosova është pjesë e rëndësishme e historisë së NATO-s Nuk jam pretencioz kur them se jo vetëm që NATO-ja e mbron Kosovën por edhe Kosova NATO-n, për shkak se ne si një vend i suksesshëm dhe mbrojmë këtë storie suksesi të intervenimit të NATO-s në Kosovë”, tha Kurti.

Në këtë seminar, Kurti ka folur për situatën në Ballkanin Perëndimor si dhe cenimi i stabilitetit në këtë rajon nga lidershipi i Serbisë.

“Ballkani Perëndimor si rajon me shumë probleme të pazgjidhura është i ndjeshëm sa i përket stabiliteti i sigurisë nga lidershipi politik serb sepse ka maksimizuar mundësinë që ju është dhënë nga mjedisi i ndryshueshëm strategjik për të avancuar interesin e tyre primar që është Serbia si hegjemoni rajonale. Ndikimi rus në Serbi është ndryshe nga ndikimi rus në vendet e tjera”.

Megjithatë, Kurti tha se Serbia preferon territorin e të tjerëve pa të tjerët dhe këtë e bënë me mbështetjen e Federatës Ruse.

“Nuk jam i sigurt nëse Serbia mundohet të imponojë mënyrën e vetë të jetesës tek të tjerët por në të vërtetë, Serbia preferon territorin e të tjerëve pa të tjerët. Nuk kemi të bëjmë me mënyrën e jetesës, nuk kemi të bëjmë me çështje kulturore ose fetare por kemi të bëjmë me ide tipike ekspansioniste të dominimit të këtij rajoni të Evropës dhe natyrisht duke llogaritur në ndihmën nga Federata Ruse”.

Megjithatë, i pari i ekzekutivit tha se Serbia nuk i ka pranuar krimet e kryera në Kosovë si dhe nuk ka distancim nga e kaluara e Millosheviqit.

Krahas kësaj, kryeministri tha se Qeveria e Kosovës është e dedikuar në plotësimin e aspektit ligjor për t’i mundësuar FSK-së zhvillimin sipas standardeve për forcat e armatosura të vendeve të NATO-s.

/Shqip.com