Kurti: Mos pagesa e rrymës lidhet me strukturat ilegale të Serbisë në veri të Mitrovicës

Kryeministri, Albin Kurti në konferencën e përbashkët me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se çështja e rrymës në Mitrovicën e veriut është politizuar para një dekade.
Ai tha se mospagesa e rrymës në këtë pjesë të vendit është trashëguar nga qeveritë e kaluara.
“Ne e kemi trashëguar këtë situatë me të cilën po merremi intesivisht që ta zgjidhim sa më parë , por jam i bindur arsyeja e mos pagesës lidhet edhe me strukturat ilegale të Serbisë atje”.
“Në veri të Kosovës konsumohet energjia elektrike dhe nuk paguhet. Në njërën anë e kuptojmë rëndësinë e të drejtës për t’u furnizuar me energjinë elektrike. Ajo çfarë shpenzohet duhet edhe të paguhet dhe para gati një dekade kjo çështje është politizuar dhe madje ka pasur edhe marrëveshje në Bruksel që nuk është zbatuar”, tha ai.
Më tej ai shtoi se duke mos e paguar energjinë elektrike, në këtë formë po i shkaktohe dëm i madh Kosovës.
“Unë besoj që qytetari i zakonshëm serbë është i vetëdijshëm që duhet të paguaj energjinë elektrike. Atje ka disa struktura të cilët imponojnë interesat e tyre dhe e organizojnë një lloj padëgjueshmërie ndaj Kosovës dhe në këtë mënyrë u bëjnë dëme edhe qytetarëve pa dallim por edhe shtetit tonë. Ne po përpiqemi që me sa më pak dëme e në mënyrë paqësore t’i japim epilog kësaj çështje që mund ta ketë vetëm një formë, e kjo është pagesa e energjisë elektrike nga të gjithë ata që konsumojnë”, deklaroi Kurti./Shqip.com