Lajme

Kurti mbledh partinë, kërkon mobilizim nga të gjithë për ditët, javët e muajt e ardhshëm

Kryeministri I Kosovës, Albin Kurti në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë ditës së sotme ka mbajtur një takim me kryetarët e degëve të Lëvizjes Vetëvendosje që janë zgjedhur gjatë zgjedhjeve të brendshme që u mbajtën me 25 shtator.

Në fjalën e tij para të pranishmëve Kurti ka kërkuar nga ana e të gjithëve mobilizim e angazhim për ditët, muajt dhe javët e ardhshme.

“Mirë se ju gjejë në këtë mbledhje te jashtëzakonshme e cila është thirrje për mobilizim për javët, muajt dhe vitet e ardhshëm ne për shkak së përgjegjësia është e madhe, të mëdha janë edhe nevojat e qytetareve. Nga zgjedhjet e shtatorit kemi dal me strukturat e reja “ Gratë për Vetëvendosje” dhe “Rinia për Vetëvendosje”, tha Kurti para të pranishmeve.

Më tutje ai ka kërkuar edhe nga kryetarët e zgjedhur të degëve që nëpër degët e tyre të rrisin numrin e anëtarëve.

“Unë pres angazhim me të dendur në qendrat në te cilat ju punoni. Të gjithë e keni parasysh që kam garuar me një platformë 10 pikëshe, pika parë ka qenë rritja e numrit të anëtarëve të moshave të reja për shkak që mosha mesatare në vend është 31 vjet dhe e kemi te domosdoshme që sa më shume te kemi anëtar të rinj. E dyta ishte rritja e anëtarësisë së vajzave dhe grave” tha Kurti.

Kurti është zgjedhur edhe njëherë në krye të Vetëvendosjes në zgjedhjet e mbajtura ditën e diele. Në krye të organizatës së gruas është zgjedhur Albulena Haxhiu ndërsa në krye të organizatës për të rinjtë është zgjedhur Behar Jashari./Shqip.com