Lajme

Kurti: Masakra e Abrisë është një nga krimet më të tmerrshme të gjenocidit që Serbia ka kryer mbi shqiptarët e Kosovës

Sot bëhen 24 vjet nga masakra e Abrisë, ku 23 anëtarë të familjes Deliu u vranë e u masakruan nga ana e forcave serbe.

E në 24 vjetorin e kësaj masakre, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se kjo është një nga krimet më të tmerrshme të gjenocidit që Serbia ka kryer mbi shqiptarët e Kosovës.

“Sot bëhen 24 vjet prej kur më 26 shtator 1998, forcat serbe vranë dhe masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në fshatin Abri e Epërme të Drenasit. Mjafton të shihen moshat kufitare të viktimave të masakrës së Abrisë, nga më i moshuari Fazli Deliu 94 vjeç deri te më e vogla Diturije Deliu 6 javëshe, për të kuptuar se sa totale dhe çnjerëzore ishte kjo masakër që kryen forcat serbe mbi këta 23 civilë shqiptarë të pafajshëm”, ka shkruar Kurti.

Foto nga masakra e Arbrisë

Kurti më tutje ka thënë se që nga atëherë askush nuk është gjykuar për këtë masakër.

“Çdo vit më 26 shtator, në përvjetorët e masakrës së Abrisë, kujtohem që 23 të vrarët e kësaj masakre nuk mund të përkujtohen pa Imer Deliun, familjarin e gjallë të tyre që jeton mes nesh. Është ai që na ka rrëfyer me shumë dinjitet atë çfarë ndodhi më 26 shtator 1998, ashtu siç ai i pa kur i gjeti kufomat e familjarëve dhe të afërmeve të tij të masakruar nga trupat serbe. Që nga atëherë, dëshmia e Imer Deliut ka mbetur pa u marrë në shqyrtim nga drejtësia ndërkombëtare dhe ende askush nuk është akuzuar për masakrën e Abrisë”, është shprehur më tutje Kurti.

Trashëgimia e luftës së Kosovës është përgjegjësi edhe e institucioneve të Republikës së Kosovës, andaj ne nuk harrojmë dhe do të punojmë për njohjen e gjithë historisë së luftës së Kosovës dhe adresimit të krimeve të kryera gjatë luftës nga Serbia në Kosovë, ka thënë më tutje Kurti./Shqip.com