Kurti: Kroacia është model që duhet ndjekim për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar rreth temave për të cilat është diskutuar në takimin e sotëm me homologun e tij nga Kroacia, Andrej Plenkoviq, në Prishtinë, njofton Shqip.com.
Në një konferencë për media pas takimit të zhvilluar të hënën në Zyrën e Kryeministrit, Kurti tha se në takimin e sotëm kanë diskutuar për mundësinë dhe potencialin e dy qeverive për bashkëpunim sa i përket ringjalljes ekonomike.
Ai më tej tha se Kosova synon anëtarësimin në NATO dhe Bashkim Evropian dhe se Kroacia është shembull dhe model i shkëlqyer për të marrë mësim nga ajo drejt kësaj rruge.
“Synimi ynë është i qartë që t’i bashkohemi NATO-s dhe Bashkimit Evropian prandaj Kroacia është shembull i mirë se si të arrijmë deri aty”, ka thënë Kurti.
“E vlerësojmë lartë mbështetjen të cilën e merr Kosova nga Kroacia sa i përket angazhimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare të mbrojtjes”, shtoi më tej ai.
Kurti ka shtuar se gjatë takimit kanë biseduar për raportet miqësore dhe mënyrat sesi mund t’i intensifikojnë ato.
“Vizita e sotme ri konfirmon afërsinë dhe marrëdhëniet e mira mes dy shteteve tona, pasi kemi të kaluar të përbashkët. Jemi mirënjohës për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i jep Kosovës”, ka thënë Kurti.
“Dy shtetet tona e kuptojnë njëra tjetrën dhe rajonin më mirë se kushdo tjetër pasi kemi të kaluar të përbashkët. Në takimin e sotëm biseduam për raportet miqësore dhe mënyrat se si t’i intensifikojmë më shumë ato”, u shpreh më tej kryeminsitri i Kosovës.
Ka ardhur sot edhe me drejtues të koorporatave të fuqishme në Kroaci që udhëheqin në fushën e energjisë, telekomunikacionit dhe dhomave të ekonomisë atje.
Ai më tej falënderoi homologun e tij kroat edhe për donacionet e vaksinave antiCOVID-19 që i kanë dhënë Kosovës dhe ndihmën që i kanë ofruar shtetasve kosovarë në aksidentin tragjik që ndodhi. /Shqip.com