Kurti: Kemi prioritet mbrojtjen sociale të qytetarëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në konferencën e dytë nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale.
Në fjalën e tij në këtë konferencë, Kurti tha se Qeveria e Kosovës e ka prioritet mbrojtjen sociale të qytetarëve me programe adekuate.
“Qeveria jonë, krahas politikave zhvillimore ka prioritet mbrojtjen sociale të qytetarëve me programe adekuate dhe sidomos afatgjatë”, tha Kurti.
I pari i ekzekutivit foli edhe për rolin e punonjësve social në shoqëri.
“Realizimi i të drejtave sociale të qytetarëve, ndërtimi dhe mirëmbajtja e sistemeve të mbrojtjes sociale, kërkon angazhim aktiv të punonjësve social. Punonjësit Social me angazhimin e tyre të përditshëm i mbështesin qytetarët në ballafaqim me problemet sociale dhe në tejkalimin e tyre. Njëkohësisht i shërbejnë edhe vendit, për të përparuar në aspektin social”.
Tutje, Kurti njoftoi se e kanë bërë projektligjin për shërbime sociale që sipas tij parasheh reforma të thella në qendra sociale.
“E kemi projektligjin për shërbime sociale, i cili parasheh reformë të thellë të qendrave për punë sociale. Për këtë, kemi bashkëbiseduar me shumë nga ju në takimet e muajit të kaluar në kryeministri e grupi punues po bën një analizë të detajuar të gjendjes në këto qendra”.
Veç tjerash, Kurti theksoi se po synojmë fuqizimin e qendrave përmes shtimit të kapaciteteteve dhe obligimin për profilizimin e stafit në përputhje me nevojat e qytetarëve ”, ka thënë ai.
/Shqip.com