Kurti ia huq në postim – ngatërron komandantin Ahmeti me kolegun e tij Shaqiri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngatërruar Komandantin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Besart Ahmetin me kolegun e tij, Fatlum Shaqirin, i cili e kishte arrestuar 16 vite më parë gjatë një proteste të Lëvizjes Vetëvendosje.
Këtë huqje Kurti e ka bërë në një postim në llogarinë e tij në Instagram të dielën, ku ka njoftuar se ka pritur në zyrën e tij stafin e lartë menaxhues të Policisë së Kosovës.
Në mesin e tyre ishte edhe Ahmeti, për të cilin shefi i qeverisë është shprehur se ka ritakuar nga afër pas 16 vjetëve.
Me të ka publikuar edhe fotografi nga takimi, dhe një të tillë nga arrestimi vite më parë gjatë një proteste të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në fotografinë e parë shihet Kurti me Ahmetin gjatë takimit të sotëm, ndërsa në të dytën Kurti dhe Shaqiri gjatë arrestimit.
“Në zyrën time në Kryeministri, sot prita ministrin e brendshëm dhe udhëheqës të lartë të Policisë së Kosovës. Në mesin e tyre ishte edhe Besart Ahmeti, të cilin e ritakova nga afër pas 16 vjetëve”.
“Kapiteni Ahmeti ka udhëhequr profesionalisht policë të njësisë speciale në Bërnjak dhe ka zhvilluar shkëlqyeshëm negociata në terren atje. Nuk ia shtrënguam dorën njëri-tjetrit, për shkak të pandemisë”, ka shkruar shefi i qeverisë në llogarinë e tij në Instagram./SHQIP.com