Lajme

Kurti – Haradinajt: Le t’i kthen në shtet ata 200 hektarë, ne ia kthejmë 70 mijë euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Deputeti Haradinaj, le t’i kthen në shtet ata 200 hektarë, e na ia kthejmë 70 mijë euro”.

Kështu i është përgjigjur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili akuzoi kryeministrin për vonea në Ligjin për Paga dhe duke thënë se po mban “ligjërata” në Kuvend.

Lexo edhe:
Kurti premton Ligjin për Paga: Do t’u japim fund problemeve thelbësore

“Konkretisht meqë mu dha propozimi që ministrat e mi t’i çoj te KEK-u e të mërdhihemi, e kam një propozim tjetër, deputeti Haradinaj, le t’i kthen në shtet ata 200 hektarë, e na ia kthejmë 70 mijë euro”, ka thënë Kurti.

Në seancën që po mbahet të martën në Kuvendin e Kosovës ku po zhvillohet debat parlamentar lidhur me çështjen e pagave në sektorin publik, Kurti akuzoi qeveritë e kaluara të cilat nuk kishin miratuar ndonjë Ligj për Paga.

“Për mua është e qartë se ata që po na kritikojnë në thelb e doni atë ligjin e shfuqizuar. Ju po doni të nxitohemi rishtaz për një ligj të vjetër, që ne t’ia gjejmë paratë atij ligji të vjetër. Po ju theksoj, jemi vonuar sepse ju jeni nxituar. Pikërisht duke i bërë ligjet shkel e shko na keni lënë pa ligj. Nëpërmjet urgjencës ju e keni dëmtuar rëndësinë.

Ne e trajtojmë me rëndësi dhe urgjencë përgatitjen për të. Jo shkeljen shkel e shko për një miratim Ad-Hoc. U theksuan shpresat e qytetarëve. Pajtohem për këtë, ata kanë shpresa tek ne. Por ky nuk është problem i juaji, shpresat e qytetarëve mi lërni mua, unë merrem me ta”, u shpreh ai.

Lidhur me Ligjin për Paga ka folur edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, i cili tha se Kurti “vetëm ka lëshuar një grush miza dhe iku”.

Sipas tij, Ligji për Paga është shumë i rëndësishëm për punëtorët e sektorit publik, por që nuk ka vullnet nga mazhoranca që të merret me këtë ligj.

“Më vjen keq që kryeministri iki nga debati, vetëm i lëshoi një grusht miza, dhe iku. Ky ligj i pagave, është shumë i rëndësishëm për punëtorët e sektorit publik. Siç thanë shumica e kolegëve kemi një brumë të mirë për ta vendosur një ligj të mirë në sektorin publik.

Nuk ka vullnet nga mazhoranca të merret me këtë ligj. Në kuadër të rritjeve të çmimeve është dashur që të rriten pagat, së paku si raport i rritjes ekonomike”, ka thënë ai./SHQIP.com