Lajme

Kurti fton krerët e opozitës që të takohen të martën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar në takim tre liderët e opozitës, Lumir Abdixhikun, Memli Krasniqin dhe Ramush Haradinajn.

Këtë e ka konfirmuar për Shqip.com, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili tha se dje janë dërguar ftesat në formë elektronike kurse gjatë ditës së sotme do të dërgohen në formë fizike.

“Dje u janë dërguar ftesat në formë elektronike, kurse sot dërgohen në formë fizike”, tha Kryeziu.

Sipas Kryeziut, ftesa për takim është gjatë ditës së martë.

Nuk dihet nëse krerët e opozitës do ju përgjigjën pozitivisht ftesës së Kurtit.

Lexo edhe:
Kurti i thërret në takim Abdixhikun, Krasniqin e Haradinajn: Dallimet politike nuk duhet ta tejkalojnë interesin shtetëror

Po ashtu, në mbledhjen e përgjithshme të Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje tre liderëve të opozitës, Lumir Abdixhikut, Memli Krasniqit dhe Ramush Haradinajt, që të takohen për të biseduar për takimin e fundit që kishte në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Po ashtu, kryeministri ka thënë se dallimet mes vete që i kanë nuk duhet të tejkalojnë interesin shtetëror e kombëtar.

Borrell: Serbia ka vendosur t’i pranojë dokumentet e Kosovës

Kujtojmë se përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josef Borrell ka bërë të ditur se tashmë është arritur marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë sa i përket përdorimit të letërnjoftimeve nga ana e qytetarëve të këtyre dy shteteve.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga vetë ai në rrjetin social në Twitter.

“Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane”, ka shkruar Borrell.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka falënderuar edhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar për diplomacinë dhe angazhimin e tij në procesin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë./Shqip.com