Kurti ftohet të marrë pjesë në Samitin e Parisit

Tridhjetë udhëheqës të shteteve, duke përfshirë nënpresidenten amerikane, Kamala Harris, do të jenë të pranishëm në Forumin e Paqes që mbahet të enjten dhe të premten në Paris.
Në mesin e liderëve të ftuar figuron edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi Zyra e Presidentit të Francës të hënën.
Në forum do të jenë rreth 450 pjesëmarrës në tërësi, përfshirë 30 liderë vendesh.
“Në total, 450 pjesëmarrës priten të jenë prezent, duke përfshirë rreth tridhjetë krerë shtetesh dhe qeverish”, njoftoi presidenca franceze të hënën.
Ky forum është iniciuar tri vjet më parë nga presidenti Emmanuel Macron.
Por, Kosova nuk është ftuar në Samitin për Demokraci, samit ky i cili do të mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Samiti për Demokraci i Presidentit është një nga shumë nismat amerikane e fokusuar në avancimin e demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës”, thuhej në një përgjigje të ambasadës amerikane në Prishtinë.
Opozita për këtë ka fajësuar kryeministrin, Albin Kurti dhe presidenten, Vjosa Osmani. Sipas tyre, ata janë duke e “izoluar” Kosovën. /Shqip.com