Lajme

Kurti: Është reciprocitet, s’është provokim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar rreth takimit që zhvilloi sot me ambasadorët e QUINT-it, i cili erdhi pas gjendjes së krijuar të hënën në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, ku serbët po protestojnë pasi ekzekutivi vendosi masën e reciprocitetit për targat, njofton Shqip.com.

Kurti thotë se ky vendim nuk është as provokim e as diskriminim, por është masë reciproke.

Kështu bëri të ditur ai me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ku shtoi se targat duhet të hiqen nga të dy palët ose të mbahen nga të dy palët.

“Ky s’është provokim, as s’është diskriminim. Është masë reciproke, edhe Kosova edhe Serbia janë të dyja edhe gabim edhe drejt. Ose i mbajmë targat të dy shtetet, ose i heqim të dyja. Liria e lëvizjes është e drejtë dhe nuk do të shkelet nga Kosova”, ka shkruar ai.

I pari i Qeverisë gjithashtu tha se ambasadorët e QUINT-it i ka informuar se pas vendimit nuk është shënuar asnjë incident dhe se policia janë në veri për të mbajtur rendin dhe qetësinë.

“U takuam me ambasadorët e QUINT-it për vendimin e djeshëm për targat e makinave që hyjnë në Kosovë. I informova se asnjë incident nuk ka ndodhur dhe se policia janë aty për të mbajtur rendin dhe qetësinë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Me këtë vendim, ekzekutivi ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi të njëjtën Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës – ku popullsia është shumicë serbe – janë bllokuar nga banorët lokalë që e kundërshtojnë vendimin për reciprocitet.

Atje janë vendosur njësitë speciale të Policisë së Kosovës për të shmangur çdo incident eventual që mund të ndodhë si pasojë e mosrespektimit të kësaj mase. /Shqip.com